Manchester United i janë dashur goditjet e 11-metërshave për të thyer rezistencën e Coventry-t, skuadrës së kategorisë së dytë të futbollit anglez, për tu kualifikuar për në finalen e FA Cup.

U duk sikur “Djajtë e Kuq” do të kalonin një pasdite të lehtë në përballjen me një kundërshtar të një kategorie më poshtë, sidomos pas pjesës së parë të sfidës.

Skuadra e Ten Hag e mbylli këtë pjesë me dy gola në avantazh, të shënuar nga McTominay dhe Maguire. Në minutën e 58-të Bruno Fernandez i çoi shifrat në 3-0 dhe tifozët e United filluan të mendonin për finalen e madhe me Manchester City-n.

Por, kjo epërsi prej tre golash duket se i vuri në gjumë lojtarët e Ten Hag, që i dhanë mundësinë Coventry të rikthehet në lojë me golin e Simms, në minutën e 71-të dhe 8 minuta më vonë O’Hara ngushtoi shifrat në vetëm një gol diferencë. Në minutën e 5-të të shtesës Wright çoi në delir tifozerinë vendase pasi shënoi golin e tretë me 11-metërsh.

Në shtesën 30 minutëshe pati shumë emocione, por jo gola të tjerë. Të dyja skuadrat goditën traversën, ndërsa Coventry-t iu anulua një gol për pozicion jashtë loje.

Në lotarinë e 11-metërshave, edhe pse Manchester United e nisi keq, me gabimin e Casemiro, por portieri Onana korrigjoi gjithçka duke pritur një penallti e një tjetër u godit jashtë.

Tashmë United do të përballet në finale me rivalët e Manchester City-t.

Klan News