Një tjetër paraqitje pozitive për Berat Gjimshitin me Atalantën. Futbollisti kuqezi e nisi nga minuta e parë në barazimin në transfertë ndaj Marsejës.

Kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit tha pas takimit se bergamaskët mund të bënin më mirë, por beson se ekipi nuk do të zhgënjejë në takimin e kthimit më 9 Maj.

“E dinim që do të ishte një ndeshje e fortë, por ne donim të bënim lojën tonë. Mendoj se nuk arritëm që të luanim në 100% ashtu siç donim dhe patëm vështirësi, të cilat duhet që t’i korrigjojmë në sfidën e kthimit. Kaluam të parët në avantazh, por pësuam gol shpejt. Pastaj ndeshja ishte e ekuilibruar. Sipas meje në pjesën e dytë nuk luajtëm shumë mirë, lamë shumë hapësira. Ndoshta sepse nuk e njihnim shumë mirë rivalin. Por ata bënë shumë mirë në sulm, na angazhuam shumë dhe nuk ditëm se si t’i përballonim. Por në fund barazuam, nuk humbëm e kjo ka rëndësi. Tani luajmë në shtëpi, e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Kemi tifozët me vete e do të japim gjithçka.”

Gjimshiti është një nga titullarët e padiskutueshëm të ekipit të Xhan Peiro Gasperinit në Europë, si edhe në Serie A. Kapiteni i përfaqësueses shqiptare ka luajtur në Ligën e Europës 10 takime, ndërsa ka shënuar edhe 1 gol.

Klan News