Dalin pamjet e ekzekutimit të Bardhok Pllanajt



Dalin pamjet e ekzekutimit të Bardhok Pllanajt

09:58 05/04/2021

Autorët derdhën mbi 30 plumba dhe dogjën makinën pas atentatit

Ky është momenti kur Bardhok Pllanaj qëllohet me breshëri automatiku nga grupi i vrasësve që e kishin ndjekur për ta ekzekutuar.

Filmimet janë nga kamerat e sigurisë në zonën ku mbeti i vrarë 46-vjeçari dhe për shkak të errësirës është i vështirë identifikimi i autorëve. Por nga pamjet mund të dallohen shkëndijat nga breshëritë e plumbave.

Kjo është makina e Bardhok Pllanajt, 46-vjeçarit që u ekzekutua në një atentat mafioz mbrëmjen e së dielës në afërsi të fshatit Dobraç i Ri të Shkodrës. Siç shihet nga pamjet ajo është bërë shoshë nga plumbat pasi dyshohet se autorët, ende të paidentifikuar zbrazën 2 karikatorë kallashnikovi mbi shënjestrën. Pllanaj humbi jetën menjëherë pasi mori plumba të shumtë në trup dhe kokë.

46-vjeçari ka qenë u kthyer në banesën e tij rreth 21:10, kur autorët i kanë prerë rrugën me një tjetër makinë tip Volksvagen me targa italiane. Burime nga grupi i hetimit thanë se në automjet janë konstatuar më shumë se 30 hyrje plumbi të gjitha në krahun e shoferit. Në vendin e ngjarjes ishin të shumta gëzhojat e lëna pas. Pak minuta më vonë, në afërsi të vendit të ngjarjes u gjet edhe makina e autorëve duke u djegur ndërsa brenda saj ishin lënë edhe 2 armët kallashnikov që besohet se u përdorën në krim. Forca të shumta të policisë lokale të mbështetura edhe nga FNSH-ja ngritën postblloqe në përpjekje për të ndaluar autorët, por pa rezultat.

Një ditë më pas hetuesit mblodhën pamjet e kamerave të bizneseve në zonë për të identifikuar autorët ndërsa kanë marrë edhe dëshmitë e familjarëve, por ende nuk ka asnjë të shoqëruar. Hetimet janë fokusuar te konfliktet që viktima ka pasur më parë si dhe në aktivitetin e tij të kohëve të fundit.

Bardhok Pllanaj është një emër i njohur për drejtësinë duke marrë edhe epitetin “Kumbari i Shkodrës”. Emri i tij doli për herë të parë në shtator të 2014-s kur policia kufitare dhe Guardia di Finanza ndaluan një tentativë trafiku droge drejt Malit të Zi dhe ku u sekuestruan mbi 800 kilogram Kanabis e njohur si dosja e lagunës së Vilunit. Një ndër personat e shpallur në kërkim ishte pikërisht Bardhok Pllanaj i cili mundi t’i shpëtonte arrestimit derisa më vonë akuzat u rrëzuan për mungesë provash.

Pllanaj u arrestua në 2018-n kur policia dhe prokuroria i sekuestroi një pallat 10-katësh në Shkodër me vlerë 2 milionë euro ndërsa ndaj tij u ngritën akuzat për “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”. Pllanaj u arrestua edhe në Tetor të 2019 në Lushnje, pasi kishte thyer arrestin shtëpiak. Në Shkurt të 2020-s ai u vu në shënjestrën e OFL-së e cila kërkoi zbardhjen e pasurisë së tij.

Tv Klan







Të ngjashme