Sulmuesit të veshur me të zeza dhunuan Matthias Ecke një politikan gjerman i cili ka shërbyer si deputet i Parlamentit Evropian për Partinë Social Demokrate që nga viti 2022.

Ky rast pason atë në Nordhorn, ku një burrë hodhi vezë mbi një ligjvënës dhe më pas e goditi me grusht në fytyrë. Në Berlin, një pensionist goditi me një çantë një senator në kokë.

Sulmet që kanë pësuar politikanët gjermanë gjatë javëve të fundit vijnë teksa po zhvillohen fushata për zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Tensionet janë rritur gjithmonë përpara votimit.

Por diçka ka ndryshuar, thonë partitë dhe analistët. Sulmet që shkaktojnë lëndime fizike janë rritur në 22 ndaj politikanëve deri më tani në 2024, krahasuar me 27 që ishin për gjatë gjithë vitit 2023, sipas Zyrës Federale të Policisë Kriminale.

Atmosfera gjithashtu ka ndryshuar, e ashpërsuar nga mediat sociale dhe ndarjet dhe retorika e politikës populiste.

“Sulmuesit janë padyshim jashtëzakonisht të pakënaqur dhe të zemëruar me politikën. Politika shihet thjesht si diçka që nuk korrespondon me idetë dhe dëshirat e tyre. Megjithatë, në një nivel më të thellë, kjo ka të bëjë shumë më tepër me faktin se njerëzit janë më të gatshëm të përdorin dhunën për të pohuar interesat e tyre dhe çfarë interesash janë ato që ushqehen nga pasiguritë ekonomike dhe kulturore”, thotë një analiste.

Një nga rreziqet kryesore, sipas analistëve është se klima armiqësore po tremb kandidatët ose aktivistët dhe kjo do të anojë në rezultatin e zgjedhjeve.

“Nga njëra anë do të thotë që vetë politikanët duhet të bëjnë një hap prapa dhe të mos i shpallin kundërshtarët dhe konkurrentët e tyre politikë, si armik, por thjesht kundërshtar. Kjo është një gjë. Nga ana tjetër, është gjithashtu e rëndësishme që qytetarët të jenë vetë aktivë për shembull, duke u përfshirë në komunitetin lokal, duke mbajtur një qëndrim dhe gjithashtu duke e bërë të qartë se ata vetë nuk janë të përgatitur për të mbështetur këto akte të dhunshme. Sulmet janë shumë problematike për një demokraci liberale. Ajo që ndodh atje është se kur bëhet fjalë për dhunën verbale, njerëzit supozohet të delegjitimohen. Dhe kjo në vetvete është problematike për konkurrencën politike”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka dënuar sulmet, duke thënë se gjermanët nuk mund të qëndronin duarkryq kur zyrtarët dhe aktivistët u sulmuan. Javën e kaluar një anëtar i partisë së tij u sulmua me mjete të forta aq sa kishte nevojë për operacion, ndërsa një tjetër që u sulmua ishte ish-kryebashkiaku i Berlinit.

Kreu i Partisë Pirate të Gjermanisë dhe kandidati për Parlamentin Evropian, Lukas Kueffner, shprehet se situata është e rrezikshme për demokracinë.

“Është gjithashtu shumë e rrezikshme për demokracinë tonë tani nëse njerëzit që janë aktivisht të përkushtuar ndaj demokracisë duhet të kenë frikë se kur vendosin postera gjatë natës, do të dhunohen , sulmohen dhe të fyehen nga njerëz që kanë probleme me ta, kjo thjesht nuk është e pranueshme në demokracinë tonë. Anëtarët e partisë time tani kanë ngritur pikëpyetje nëse njerëzit duan të ndihmojnë në vendosjen e posterave. Unë mund ta kuptoj absolutisht, sepse ata kanë frikë të dalin dhe të vendosin postera”.

Në përgjithësi, sulmet verbale dhe fizike ndaj politikanëve në Gjermani janë më shumë se dyfishuar që nga viti 2019, sipas të dhënave të qeverisë. Partia që ka dalë më e keqja është të Gjelbërit, partneri i vogël në koalicionin e kancelarit Olaf Scholz. Anëtarët e saj raportuan 1,219 incidente vitin e kaluar, shtatëfishuar nga viti 2019.

E dyta, në këtë numër është partia e ringjallur së fundmi është ajo e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) me 478 incidente. Anëtarët e këtyre partive por edhe qytetarët në Gjermani fajësojnë retorikën e Alternativës për Gjermaninë për rritjen e konfrontimeve.

“Një zhvendosje në të djathtë! Fakti që dhuna është përsëri në rritje të kujton  vitin 1933. Kështu që më duket e frikshme dhe mendoj se është e tmerrshme që ka ardhur sërish në këtë pikë, që mund të ndodh në publik”.

“Unë mendoj se është duke u përkeqësuar dhe më keq, nuk mendoj se është vetëm një çështje politike. Mendoj se komunikimi po bëhet gjithnjë e më i vështirë dhe njerëzit nuk po dëgjohen më as problemet e tyre nuk po merren më parasysh”.

Ministrja e Brendshme Nancy Faeser më herët ka deklaruar se do të zgjaste dënimet për ata që kryejnë sulme ndaj politikanëve dhe aktivistëve dhe  këta të fundit duhet të kenë më shumë mbrojtje policore. Por policia tashmë po lufton me ngarkesën aktuale të punës, sipas kreut të sindikatës më të madhe të policisë në Gjermani.

“Shifrat e viteve të fundit janë të dukshme. Ne po flasim për gati 3000 sulme vetëm vitin e kaluar dhe ndoshta do të ketë edhe më shumë këtë vit. Dhe pastaj disi thjesht pranohet që një zyrë partie është sulmuar, se dikush është fyer. Mendoj se politikanët tani i kanë bërë të ditura qartë ndjenjat e tyre se diçka tani duhet bërë, kështu që tani duhet të presim dhe të shohim. Nëse tani ka thirrje për më shumë mbrojtje personale, atëherë ne kemi nevojë edhe për shumë më shumë oficerë policie. Por mendoj se do të ishte më efektive për ne të forconim jo vetëm policinë, por edhe gjyqësorin në aspektin e personelit dhe teknologjisë. Sepse ne duhet të jemi të sinqertë dhe të themi se shumë nga këto sulme, qofshin ato verbale apo fizike, shpesh nuk dënohen aq shpejt sa duhet”.

Politikanët në gjurmët e fushatës në Gjermaninë lindore pas sulmeve të fundit kanë marrë masat  dhe po mbajnë më shumë seminare për sigurinë. Kancelari gjerman Olaf Scholz së fundmi ka deklaruar se sulmet ndaj demokracisë nuk duhet t’a bëjë Gjermaninë të qendrojë duarkryq kur shkatërrohen posterat zgjedhore për zgjedhjet evropiane.

Scholz po lobon gjithnjë e më shumë për votimin me postë ku 16 dhe 17-vjeçarët do të mund të votojnë gjithashtu  dhe në këtë mënyrë e gjithë Europa mbetet e bashkuar duke lënë pas ata që kërkojnë ta shkatërrojnë atë.

Klan News