Ngjarja në Dhërmi ku u vra recepsionisti Eraldo Nevruzi nga bashkëpronari i hotelit ku punonte, Gerald Shehu tronditi opinionin publik. Megjithatë mes tronditjes dhe hidhërimit për një ngjarje të tillë ka edhe nga ata që duan të përfitojnë.

I tillë ka qenë rasti i shoferit të ambulancës që ka transportuar për në morgun e Vlorës trupin e pajetë të 31-vjeçarit pasi u gjet nga forcat policore. Shoferi 62-vjeçar ka filmuar me celular trupin e pajetë për t’ua dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin.

Për këtë arsye ai është vënë në pranga për “zbulim të akteve dhe të dhënave sekrete”.

“Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi hetimor për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së shtetasit Eraldo Nevruzi, grupi hetimor ka marrë informacion se shoferi i autoambulancës që po transportonte për në morgun e Vlorës trupin e shtetasit Eraldo Nevruzi, i cili u vra me armë zjarri nga shtetasi Gerald Shehu, kishte filmuar me aparat celular trupin e pajetë për t’ua dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin. Bazuar në këtë informacion, shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut, i është bërë këqyrja e aparatit celular nga grupi hetimor, ku i janë gjetur pamjet filmike të trupit të shtetasit Eraldo Nevruzi, të cilat ua kishte dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin. Në vijim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut Vlorë, për veprën penale “Zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete””, njoftoi policia.

Ndërkohë Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon gazetarët që nuk pranuan të publikonin videon e dërguar nga ky shtetas të trupit të pajetë të Eraldo Nevruzit.

31-vjeçari u vra nga Gerald Shehu dhe më pas e hodhi në zonën e Gjipesë. Ai tentoi të largohej drejt Anglisë nga Korfuzi, por u arrestua nga autoritetet greke. Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar edhe 2 punonjës të hotelit që dyshohet se ndihmuan autorin./tvklan.al