Dyshohet se zjarri u vendos nga persona të maskuar

Digjen makinat në pronësi të ish-Kryetarit të Gjykatës së Elbasanit, Arben Vrioni dhe bashkëshortes së tij. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mbrëmjes në këtë qytet.

Dy automjetet, një me targë AA 040 OK, ishin parkuar poshtë pallatit ku banon familja Vrioni në bulevardin kryesor, afër stadiumit Elbasan Arena, kur befas kanë shpërthyer në flakë.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar policia dhe zjarrfikëset. Edhe pse zjarrfikëset kanë shkuar shpejt zjarri ka dëmtuar rëndë të dy automjetet.

Burime paraprake bëjnë me dije se makinave u është vënë flaka nga dy persona të maskuar të cilët duket se kanë hedhur edhe benzinë që të përshpejtojnë djegien.

Pista kryesore e hetimit është ajo e zjarrvënies së qëllimshme për shkak të detyrës.

Arben Vrioni ka mbajtur për një kohë të gjatë postin e Kryetarit të Gjykatës së Elbasanit dhe ish-gjyqtar i Apelit në Durrës, i cili u shkarkuar nga vetingu më 22 Nëntor të vitit të shkuar.

Bashkëshortja e Vrionit është punonjëse në Zyrën e Urbanistikës në Bashkinë Elbasan.

Tv Klan