Qytetarit i vjedhin delet dhe e kërcënojnë, policia mbron grabitësit

Emisioni “Stop” shkoi në Divjakë këtë të mërkurë, pasi Loni Lala, 64 vjeç, është ankuar, se përveçse i kanë vjedhur dy dele më 2 Janar 2021, ai vetë dhe familja ndjehen të kërcënuar prej hajdutëve dhe se nuk kanë gjetur përkrahje nga policia e Divjakës.

Vjedhja ka ndodhur nga katër persona në stallën ku Lala mban bagëti e gjedhë. Gjithçka është e filmuar nga kamera e një biznesi përballë stallës. Loni Lala tregoi, se hajdutët kanë shkatërruar dritaren me tulla, kanë tërhequr zgarën dhe kanë hyrë brenda, ku kanë grabitur delet.

Lala shtoi se dy persona i ka njohur dhe janë banorë të fshatit. Në këto kushte është lënë i vetëm nga shteti dhe nga policia. Ai tregoi, se ka bërë ankesa në polici, por policia në vend që t’i ofrojë mbrojtje, i është kundërvënë.

“Këtu kanë ardhur kanë shqepur dritaren me tulla, kanë hequr zgarën, kanë hyrë brenda, kanë kapur dy delet i kanë nxjerrë dhe kanë ikur. 9 krerë kam pasur gjithsej këtu dhe 2 mi morën, 7 më ngelën. Mesa pashë tek kamerat atje, janë 4 persona. Banorët e fshatit, vijnë shpesh herë këtë derisa arritën që votën. Kam 2 vjet që më vjedhin këtu. Më kanë vjedhur viça, dhi, dele, qengja, keca. Thonte policia që nuk do vij unë të ruaj delet e tua. Nuk e ndjej veten të mbrojtur nga policia se kam bërë ankesa dhe policia më është kundërvënë mua. Unë jam vetëm këtu në stallë, mund të vijnë të më vrasin. Gjithë natën rri këtu tek stalla”, tha ai.

E bija e Loni Lalës tha se është kërcënuar nga vëllai i njërit prej grabitësve, Arsid Janko.

E bija: Më ka kapur në rrugë te parku i lojërave, Arsid Janko dhe më ka thënë “nëse vëllai im del i pafajshëm, unë do të të vras burrin dhe babain”. Nga shteti unë dua sigurinë e familjes!

Gazetari: Kush është ky person, që ju e përmendët me emër dhe mbiemër?

E bija: Personi, i cili ka dalë në kamerë, njeri prej katër personave, që kanë dalë në kamerë. Në datën 3, afër dreke. Po vija nga Durrësi dhe shkova në farmaci, për të marrë diçka. Nga farmacia isha te parku i lojërave me vajzën dhe aty erdhi ai dhe më pyeti:  “Çfarë ka ndodhur, që e morën vëllain tim?” Nuk e di, i thashë unë dhe realisht nuk e dija këtë pjesë. Ai tha, se nëse vëllai del i pafajshëm, atëherë do të të vras babanë dhe burrin. Babai dhe burri më tha: “Hajde të shkojmë në polici”. Shkova në polici, për të bërë denoncimin dhe ata të policisë më thanë: “Nëse kjo del, që është gënjeshtër, atëherë ju do të fundoseni dhe largohuni që këtu!”

Gazetari: Kush jua ka thënë këtë?

E bija: Një prej atyre policëve. Mënyra, se si i është përgjigjur policia babait tim, nuk është e drejtë.

Gazetari: Ti vetë ndihesh e mbrojtur?

E bija: Unë dhe familja imë nuk ndihemi të mbrojtur, përkundrazi, ndihemi shumë keq. Kam tri fëmijë të vegjël dhe nuk kam siguri për familjen. Unë nga shteti dua vetëm sigurinë e familjes, se ata më kanë marrë djersën e fëmijëve! Unë nuk thera një qëngj për Krishtlindje dhe për Vitin e Ri. Denoncimin unë nuk e bëra për këtë person, sepse u përgjigjën shumë keq. “Largohuni që këtu dhe nëse kjo nuk është e vërtetë, ju do të fundoseni!”.

Gazetari i “Stop” iu drejtua komisariatit të policisë, ku shefi i Krimeve, në vend që të japë informacion për rastin në fjalë, filmoi me celular dhe kërcënoi gazetarin me procedim penal, duke e nxjerrë jashtë.

Punonjësi: Ky është shefi i krimeve.

Gazetari: Shumë bukur! Kemi ardhur për problemin e qytetarit.

Shefi i Krimeve: Ec, dil jashtë!

Gazetari: Do flasim aty jashtë?

Shefi i Krimeve: Po, dil jashtë!

Gazetari: Do flasim aty jashtë, bashkë?

Shefi i Krimeve: Do flasim jashtë, jo këtu.

Gazetari: Pse jashtë?

Shefi i Krimeve: Është vepër penale mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë.

Gazetari: Zotëria Loni Lala është banor i Divjakës. Ka patur një problem për një vjedhje. Duam të dimë pak veprimet e policisë nga fillimi e deri në fund dhe pjesën e mbrojtjes së zotërisë. Ma jep përgjigjen tani!

Shefi i Krimeve: Të lutem, dil jashtë!

Gazetari: A mund ta jepni ju përgjigjen, se ju jeni Shefi i Krimeve?

Denoncuesi: Kam dy vjet, që denoncoj këtu në këtë derën e policisë. Kanë vjedhur dele, vica, keça, qengja, derisa u identifikuan hajdutët, i mbajtën 1 orë dhe i çuan.

Gazetari: Nuk po dhunoj institucionin, nuk po ju fyej…

Shefi i Krimeve: Dil jashtë, se do fillojë procedimi penal!

Gazetari: Po le të fillojë procedimi, por për çfarë, pra? Ka një arsye, ka një motiv.

Gazetari: Zotëri, unë kërkoj, çfarë i mbetet prokurorisë…

Shefi i Krimeve: Nuk ka rëndësi, këtu duhet të hysh sipas ligjit.

Gazetari: Atij zotërisë, që është gjynah, kur e shikon me gjithë këto probleme, keni marrë një denoncim nga vajza…

Shefi i Krimeve: Asnjëherë, ty nuk të vjen gjynah më shumë sesa neve.

Gazetari: E shikoj, e shikoj, që këta ndihen të rrezikuar.

Shefi i Krimeve: Ndihmoje, pse nuk e ndihmon zotërinë?

Gazetari: Si?! Më thua mua, që ta ndihmoj? Po unë për çfarë kam ardhur këtu? Mos kujton ti, se po tallem unë këtu?  “Stop”-i  nuk vjen për t’u tallur këtu, zotëri!

Shefi i Krimeve: Dil jashtë!

Gazetari: Unë nuk dal jashtë, pa më siguruar se çfarë do të bëhet me mbrojtjen e këtyre zotërinjve! Më jep përgjigje, se çfarë është bërë, lidhur me këtë gjë. Zotëri, po filmoje dhe filmoje mirë atë, se s’ka asnjë problem!

Shefi i Krimeve: Të lutem dil jashtë!

Gazetari: Mund ta filmosh, urdhëro, ja ku e ke kamerën, i kemi publikisht!

Shefi i Krimeve: Unë nuk filmoj, të lutem, te shtëpia jote nuk hyn njeri brenda dhe troket nga brenda.

Gazetari: Po për çfarë po më nxjerr jashtë? Pse po më ndjek?

Shefi i Krimeve: Je i jashtëligjshëm këtu.

Gazetari: Për çfarë jam i jashtëligjshëm?

Shefi i Krimeve: Në institucionin e policisë hyhet me rregulla.

Gazetari: Unë nuk përbëj vepër penale, se nuk po dhunoj institucionin.

Gazetari: Zotëria, gjynah! Është për të ardhur keq, që në mes të një stalle aty, i vetmuar, të ndihet akoma i rrezikuar. Për këtë më vjen shumë keq! Jam shumë i shqetësuar, se ti e shikon, se sa i shqetësuar jam unë për atë qytetarin dhe e shikoj, se sa e keni vënë ju ujin në zjarr.

Shefi i Krimeve: Vetëm i shqetësuar nuk je.

Gazetari: Po çfarë jam? Bëni edhe rolin e psikologut tani? Se, tani, të shefit nuk po ma bën, të informacionit s’po ma bën, e ke edhe diplomën e psikologut? Se si jam unë, i shqetësuar ose jo? Unë po bëj detyrën time, zotëri, dhe ti nuk mundesh dot të më ndalosh dot mua! Nuk kam ardhur këtu, për t’u zënë me ju, nuk është qëllimi ynë ky, si emision. Qëllimi ynë është, që ne të informohemi saktë dhe të kërkojmë mbrojtje për zotërinë.

“Stop” iu drejtua zyrtarisht policisë së Fierit, e cila ktheu një përgjigje duke thënë se është bërë identifikimi i autorëve të dyshuar ndërsa materialet në ngarkim të të dyshuarve i kanë kaluar prokurorisë së Lushnjes për veprime të mëtejshme proceduriale hetimore.

/tvklan.al