Opinion- Çështja e zgjedhjes së Presidentit në vitin 2002 ka qenë një ndër temat më të diskutuara. Më datë 31 Maj të vitit 2002 gazetari Blendi Fevziu kishte zgjedhur pikërisht këtë temë për emisionin “Opinion”.

Për të diskutuar rreth saj ishin të ftuar në studio Genc Ruli, Piro Misha dhe Remzi Lani.

“Partia Socialiste është ajo që përfaqëson mazhorancën shqiptare. Sipas Kushtetutës ka të drejtë të dalë me kandidatët e saj. Por ka një dilemë që ka të bëjë me rënien e kredibilitetit politik të partive. Që ta kthesh në luftë çështjen e Presidentit për mua do të ishte anti politike dhe ne po shkojmë drejt saj me veprimet që po bëjmë”, tha Ruli.

“Partia Socialiste ka të drejtën të jetë zëri kryesor në zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm, por nuk mendoj se duhet të injorojë faktorët e tjerë politikë. Duhet t’i marrë në konsideratë për shumë arsye dhe themelorja janë zgjedhjet e kaluara. Rruga e konsensusit në teori do të ishte rruga më e mirë, por mendoj se mbetet në teori sepse ka pak shpresa të jetë konsensus i vërtetë dhe është punuar pak për të qenë i tillë. Një President i zgjedhur nga mazhoranca është opsioni i parë dhe nuk është jo normal. Opsioni tjetër do të ishte një figurë nga partitë e vogla ose i pa përfshirë në politikë”, tha Lani.

“Shqipëria në këto momente kishte nevojë që t’i tregonte Evropës, por edhe vetë popullit që ka një logjikë që kërkon të kapërcehet dhe të futet logjika e negocimit. Pas 10 vjetësh që politika konfliktuale i ka shkaktuar dëm këtij vendi dhe ka krijuar imazhin që nuk merremi vesh me njëri-tjetrin, kërkohet që forcat politike të arrijnë në një kompromis. Mendoj se Partia Socialiste duhej të kishte dalë me kandidatura konkrete dhe nuk jam dakord që nxirren figura intelektualësh pa lidhje me politikën”, tha Misha. / tvklan.al