Startoi këtë të premte emisioni më i ri në Televizionin Klan.

“Ditë për Ditë” është një emision i ideuar nga Drejtori Ekzekutiv i Televizionit Klan, gazetari i njohur Armand Shkullaku. Në bashkëpunim me gazetaren Elda Laze, e cila vjen në rolin e kryeredaktores, emisioni është i ndërtuar mbi një frymë inovative, që ka si qëllim të përcjellë energjitë pozitive dhe imazhin modern të shqiptarëve që ia kanë dalë të bëjnë diçka të vlefshme dhe me ndikim për të gjithë shoqërinë.

Edhe më parë Shkullaku ka eksperimentuar suksesshëm formate moderne televizive, e veçanta e të cilave është formula e prezantimit; një prezantues rreth të cilit mblidhen gazetarët që prezantojnë tema të ndryshme. E kështu, gazetarët shndërrohen në prezantues dinamikë.

Me prezantuese Alba Çobaj dhe bashkëprezantues Albi Isakaj, Liesa Haxhiasllani, Joel Çela, Kristi Janku, Krist Bibolli, emisioni ka një përmbajtje dinamike.

Histori personale, portrete dhe ngjarje që kanë si protagonistë personazhe që prodhojnë dhe krijojnë në të gjitha fushat, nga turizmi, biznesi, kultura, jeta sociale, teknologjia, arti. Në këtë program do të përcillen gjithashtu ngjarje dhe fenomene që përditë e më shumë po bëjnë të ndryshojë mentaliteti dhe kultura e jetesës tek shqiptarët.

Iniciativa të vogla private, që po kthejnë njerëzit drejt turizmit vendor, duke zbuluar pjesë të panjohura të Shqipërisë, përhapja e kulturës së mirëqenies trupore, si ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti fizik, sporte që sa vijnë e po shtrihen, si vrapimi, çiklizmi, ecjet malore, hipizmi, etj.

Talente të reja në muzikë, kinema, teatër, pikturë dhe zhanre të tjera bashkëkohore, aktivitete të vogla të jetës urbane (kafenetë si vende socializuese, muzika live, etj), jeta studentore dhe fuqia krijuese e të rinjve, do të jenë gjithashtu tema qendrore të programit.

“Ditë për Ditë” që në puntatën e parë që u shfaq këtë të premte, solli një frymë moderne e koncept të ri për televizionet shqiptare.

Këtë emision do të keni mundësinë ta ndiqni çdo ditë, në një transmetim live, nga ora 13:45 deri në 15:30.

/tvklan.al