Protestën e 16 Shkurtit dhe vendimin e opozitës për djegien e mandateve Presidenti i Republikës i sheh si zhvillime te padëshirueshme në njëkohë që vendi pret një përgjigje për hapjen e negociatave.

“Vlerësoj se çdo veprim ekstrem nuk i shërben demokracisë, nuk i shërben forcimit të institucioneve dhe nuk i shërben njëkohësisht as integrimit europian të vendit, që është dëshira e çdo qytetari shqiptar”.

Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit i kërkon te tërhiqen një hap, ndërsa Edi Ramës 2 hapa pas. Në një intervistë për Deutsche Welle Meta thotë se  përgjegjësia kyçe është e shumicës qeverisëse te cilën nen rreshta e akuzon për shkelje te kushtetutës, kapje të institucioneve të pavarura dhe për korrupsion.

“Është koha të kemi një hap prapa nga opozita, por mendoj që është koha të kemi edhe dy hapa pas nga mazhoranca, nga qeveria dhe nga Kryeministri, të cilët duhet të kuptojnë që përgjegjësitë kryesore për qeverisjen e vendit janë të tyre. Të respektojnë institucionet e pavarura, të mos ndikojnë te krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë. Të japin shembullin të parët për luftën kundër korrupsionit dhe për shumë çështje që kanë tronditur opinionin publik, pasi në fund fare asnjë justifikim nuk do të jetë i vlefshëm dhe i dobishëm për askënd në rast se vendi do ta humbasë këtë mundësi”.

Meta kërkon që protesta e të enjtes të jetë paqësore, por dënon çdo lloj provokim që nxit protestat.

 “Është e rëndësishme që çdo protestë të jetë paqësore dhe ata të cilët i organizojnë të marrin të gjitha përgjegjësitë e tyre, ashtu sikurse është e turpshme që protestat të provokohen për çdo lloj arsye. Në Shqipëri ka një pakënaqësi, ka një zemërim dhe është koha, jo për ta instrumentalizuar këtë pakënaqësi dhe zemërim nga çdo palë, por për ta lexuar dhe për të reflektuar gjithkush me përgjegjësi se si kjo të kthehet në një energji pozitive për zhvillimin e vendit”.

Presidenti ka folur dhe për marrëveshjen e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë qe sipas tij duhet arrihet përmes bashkëpunimit të SHBA dhe Gjermanisë më shumë se një bashkëpunimi SHBA- BE.

Tv Klan