Investimi në ishullin e Sazanit është tema e emisionit të sotëm në “Opinion”. Pikërisht ky transformim që pritet të ndodhë në vijim në këtë zonë, ngjalli debat në studio.


Gazetarja Fatjona Mejdini e cilësoi si “kazino politike” gjithë procesin, duke theksuar se dhëndri i Donald Trump nuk u zgjodh krejt rastësisht nga qeveria shqiptare. Ishte deputeti socialist Arben Pëllumbi i cili e kundërshtoi duke thënë se nuk mund të hidhen akuza të tilla kur ende nuk dihen shumë detaje mbi projektin.

Arben Pëllumbi: Dëgjova me shumë vëmendje dhe këtu duket sikur është ndërtuar ky fondi, po intrigohet këtu në Shqipëri për lojëra politike që zhvillohen në Amerikë.

Fatjona Mejdini: Janë 1 miliard dollarë për 3 projekte, 500 mln do shkojnë për projektin e Beogradit, ajo që ngelet për Shqipërinë për të dyja projektet është 500 mln dollarë.

Arben Pëllumbi: Duket sikur këtu në Shqipëri do zbulojmë intrigat se çfarë ndodh dhe pse javën e kaluar u publikua një shkrim, u gjetën lidhje se mos kushedi fillon shkëmbim territoresh në Kosovë. Ne Ballkani, pra ne shqiptarët duam të gjejmë të gjitha vegjat. Botëkuptimi i vogël që ne kemi këtu, duke filluar nga ne i pari dhe tek ju, duket se çdo gjë që ndodh duhet të ketë intriga mbrapa, sikur këtu thuren komplote. Është thjesht çështje biznesi, investimi për të fituar.

Fatjona Mejdini: Do fitojë Kushner apo shqiptarët?! Se Kushneri do fitojë se ai për të fituar ka ardhur.

Arben Pëllumbi: Nëse ju jeni personi më i aftë për biznes në këtë vend dhe po u jepni mend atyre që merren me këtë punë, në rregull. Po ata që do merren në të ardhmen, do kenë më shumë eksperiencë sesa ju.

Fatjona Mejdini: Unë s’jam as biznesmene, as eksperte turizmi, jam qytetare shqiptare, gazetare në shërbim të publikut që bëj pyetje.

Arben Pëllumbi: Hodhët gjithë ato akuza, ngritët një komplot…

Fatjona Mejdini: Po pse u zgjodh Kushner, krejt rastësisht u zgjodh? Ai është investitori më i madh në botë?!

Arben Pëllumbi: Ajo që dimë ne është shprehje interesi, deri te projekti konkret kanë për të kaluar vite.

Fatjona Mejdini: Nëntori do jetë deçiziv për këtë projekt, pa asnjë dyshim!

Gazetarja më tej u shpreh se Shqipëria vitin e kaluar ka kapur rekordin e 10 mln turistëve dhe këta investitorë nuk po i “bëjnë asnjë nder vendit.”

Arben Pëllumbi: Të bësh një konkurs duhet të bësh vetë, të thuash dua të ndërtoj këtë gjë. Pastaj ta shikosh a do të vijnë njerëz.

Fatjona Mejdini: Pse nuk ndodh? Ta shikosh vlerën e Sazanit, a do vijnë investitorë seriozë.

Arben Pëllumbi: Duhet të shpenzosh zonjë!

Fatjona Mejdini: Të bëhet me tender të hapur…

Arben Pëllumbi: Kushton!

Fatjona Mejdini: Kushton kjo, kushtoka një reklamë. Kjo tjetra me dyer të mbyllura nuk kushton…Kjo do u kushtojë shqiptarëve më vonë, e kuptoj unë këtë./tvklan.al