Legjenda e Formula 1, Michael Schumacher është subjekt i një dokumentari të ri mbi jetën dhe karrierën e tij. Dyshja gjermane Michael Wech dhe Hanns-Bruno Kammertoens e kanë realizuar këtë dokumentar me dijeninë dhe mbështetjen e familjes Schumacher. Aty përfshihen intervista me familjarët e pilotit të Formula 1, si dhe intervista të rralla dhe pamje që mendohet të kenë qenë të patransmetuara.

Ky film dokumentar është ende duke u realizuar dhe pritet të shfaqet në muajin Dhjetor. Babai Rolf, bashkëshortja Corinna dhe dy fëmijët e Schumacher, Gina dhe Mick shfaqen në intervista në këtë dokumentar. Michael Schumacher është piloti më i suksesshëm në Formula 1, duke fituar 7 kampionate. Por ai nuk është parë publikisht që kur pësoi aksidentin në ski 5 vite më parë në Alpet franceze.

Gjendja e tij shëndetësore mbahet e fshehtë, për shkak se familja kërkon të ruajë privatësinë e tij. Nuk duhet saktësisht gjendja e tij aktuale, por më herët është raportuar se një ekip mjekësor prej 15 personash kujdesen posaçërisht për Schumacher. Mbetet për të parë nëse dokumentari i ri do të japë të dhëna rreth gjendjes shëndetësore të kampionit të Formula 1.

/tvklan.al