Juventus ngjitet i treti, diferenca me kreun shkon -8

Sërish ai, dhe Juventus është i treti. Kampionët e Italisë nuk diskutuan për asnjë moment fitoren 3-0 në shtëpi përballë Krotones, kjo falë edhe yllit të saj, Cristiano Ronaldo, autor i dy golave. Rezistenca e Krotones zgjati vetëm 38 minuta, pasi Sandro gjeti në zonë Ronaldon, i cili për pak i shpëtoi pozicionit jashtë loje për të kaluar në avantazh Juventusin.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, Ronaldo realizoi golin e dytë, sërish me kokë. Dopietë që parakalon Lukakun në listën e golashënuesve të Serisë A me 18 finalizime, ndërkohë që e ngjit Ronaldon në kuotën e 133 golave të shënuar me kokë në karrierën e tij.

Goli i MekKeni mbylli praktikisht ndeshjen, me një goditje potente nga brenda zonës. Një sukses që e katapulton “Zonjën e Vjetër” në vendin e tretë, duke parakaluar tre skuadra në tabelën e klasifikimit të Seria A, praktikisht Romën, Atalantën dhe Lazion. Tashmë diferenca e Juventusit të vendit të tretë me kreun që mbahet nga Interi shkon në 8 pikë. 

Klan News