Bledar Teferiçi është mësues historie në profesion. Ai ka një eksperiencë 15-vjeçare në mësimdhënie dhe drejtim arsimi. Për nëntë vjet me radhë ka drejtuar Shkollën Profesionale “26 Marsi” në Kavajë. Papritur Ministria e Financave, me anë të një urdhri të datës 1 Maj 2018 e liroi nga detyra për mospërputhje të kritereve të pozicionit të punës.

“Prej 3 vitesh gjendem i papunë dhe burokracia shtetërore ka bërë të mundur që familja ime të gjendet në vështirësi ekonomike, sociale dhe njerëzore, morale, etike, profesionale”, tha ai.

Teferiçi iu drejtua Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të  Kavajës, e cila vendosi, që Ministria t’i paguajë 12 muaj pagë për shkak të prishjes së kontratës në mënyrë të pajustifikuar, 2 muaj pagë për mosrespektim të procedurës se zgjidhjes së kontratës dhe 4 muaj pagë  për vjetërsi në punë. Gjithsej 18 muaj pagesë. Po kështu, gjykata kërkoi kthimin e Bledar Teferiçit në vendin e punës ose në një pozicion paralel.

“Prej 3 vitesh Ministria e Financave, nga e cila varet shkolla e mesme profesionale ka zvarritur ekzekutimin e këtij vendimi. Për këtë arsye gjykata vendosi detyrimin e të paditurit që të paguajë pagën e 12 muajve për shkak të zgjidhjes së pajustifikuar të pagës”, tha Teferiçi.

Gjykata e Apelit Durrës la në fuqi të njëjtin vendim.

“Kam gjetur vetëm zvarritje, por ajo që më shqetëson më tepër është që marrin përsipër që të interpretojnë vendime të gjykatës”, tha ai.

Por Teferiçi sot, që flasim, është i papunë dhe i padëmshpërblyer. “Stop” iu drejtua me kërkesë për informacion Agjencisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësive, që tashmë ka në kompetencë emërimet e drejtuesve e punonjësve në shkollat profesionale dhe AKPA shprehet, se nuk ka vende vakante për drejtues shkolle. Por “Stop” ka mësuar, se drejtuesja e shkollës “26 Marsi” është e komanduar.

Gazetari: Drejtuesi aktual i shkollës “26 Marsi” në Kavajë, si është i emëruar? A është i komanduar? I keni bërë verifikimet?

Juristja e AKPA-së: E kuptoj, por të lutem, se nuk jam personi përgjegjës. Është drejtori tjetër ajo, që merret me shkollat profesionale.

Gazetari: Lutemi shumë, ta riemëroni z. Teferiçi!

Denoncuesi i kërkoi Ministrisë së Financave që të mos interpreton vendimet e gjykatës, por kërkon zbatimin e vendimit.

Denoncuesi: Vendimi i Gjykatës së Apelit, çfarë thotë, zonjë?

Ekonomistja: E ka lënë në fuqi këtë vendim. Do kërkoj mendim, lidhur me këtë gjë.

Denoncuesi: Thotë: “Lënien në fuqi  të vendimit nr.490, dt.28.9.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë. Pyetja është shumë e qartë: Vendimet e gjykatës, interpretohen apo zbatohen?

Ekonomistja: Normalisht, vendimet e gjykatës zbatohen.

Specialisti: AKPA e ka marrë një angazhim konkret dhe mua m’u duk një angazhim i qartë. Nëse krijohet mundësia minimale për ndonjë vend të njëjtë, jashtë kritereve të konkurrimit, do t’i ofrohet në rastin më të parë.

Denoncuesi: Ka mbi 1 vit, që agjencia ka marrë nën varësi shkollat profesionale, po kaq ka edhe vendimit e gjyqit të z.Bledar Teferiçi, që duhet ta rikthejë në punë, dhe këtu ju kontestoj, kur thoni se ka marrë një angazhim. Angazhimi duhej të ishte sot e një vit, por thotë: “Unë nuk kam vend të lirë pune.” Më fal more z.Astrit, por si mund të shprehet kështu një funksionar i një institucioni? Siç më hoqe, ashtu edhe më rivendos! Ata fëmijët  e mi, ku do hanë gjatë kësaj periudhe? Burimin mund ta gjeni vetë. Unë jam interesuar pranë shkollës, te financieri dhe më ka thënë, se është me komandim, jo e emëruar, jo me konkurrim. Gjykoj, se po të interesoheni, besoj se do jetë e vërtetë. Unë jam i lodhur z.Astrit, jam i cënuar. Ju po e kuptoni, se është pjesë e një denoncimi në emisionin “Stop”. Ai, që nuk e ka bërë punën, duhet të shqetësohet. Në këtë moment, që interesohen (Stop)…,unë kam tri vite, që zvarritem, nëpërkëmbem, ofendohem, injorohem dhe nuk i dha kush, zgjidhje. Sot, po mblidhen të gjithë./tvklan.al