Pengon mbledhjen e Këshillit Bashkiak

Në orën 10:00 të kësaj të marte anëtarët e Këshillit Bashkiak të Vlorës u mblodhën përpara teatrit “Petro Marko” të këtij qyteti për të zhvilluar mbledhjen e paralajmëruar ku do të bëhej një ballafaqim me kryebashkiakun Dritan Leli për gjendjen skandaloze të shërbimeve që duhet t’i ofrojë bashkia qytetit.

Por Dritan Leli jo vetëm që nuk është paraqitur, por ka urdhëruar mbylljen e derës për të mos lejuar zhvillimin e mbledhjes me argumentin se shkelej Akti Normativ për masat e pandemisë duke sugjeruar që takimi të kryhej online. Ky pretendim u hodh poshtë nga anëtarët të cilët kujtuan se Komiteti Teknik i Ekspertëve ka lejuar tashmë grumbullimin e 50 personave.

“Ky është një pretendim qesharak sepse po i njëjti kryetar jo pak ditë më parë dha leje dhe mundësinë forcave të tjera politike, kandidatëve të saj për të zhvilluar mbledhjen në këtë sallë. Sot në datën 15 hyn në fuqi vendimi që nga 10 mund të shkojë në 50”, tha Anduel Tahiraj, anëtar i Këshillit Bashkiak, Vlorë.

Këshilltarët bashkiakë e konsideruan skandaloz dhe papërgjegjshmëri qëndrimin e kryetarit të Bashkisë, për të cilin thanë se s’ka më as besimin e qytetarëve.

Shqetësimet tona prej shumë kohësh kanë qenë në vesh të shurdhër. Kryetari i bashkisë e ka humbur mbështetjen e PS, por njëkohësisht edhe qytetarëve të Vlorës. Kjo na ka bërë që ne si këshilltarë bashkiakë të marrim në dorë fatet e qytetit”, tha ai.

Anëtarët e këshillit Bashkiak thanë se do të përdorin të gjitha instrumentet e kontrollit dhe auditimit që ka Këshilli për të garantuar llogaridhënien e kreut të bashkisë. Kjo mbledhje u iniciua nga 2 e 3 e anëtarëve duke parë gjendjen skandaloze të shërbimeve publike në qytet në prag të sezonit turistik, me rrugë me gropa e të paasfaltuara apo mungesën e ujit të pijshëm.

Tv Klan