Pajisja arrin në lartësi deri 8 km, u përdorën në përplasjen mes Azerbajxhanit dhe Armenisë

Ky është droni Baykar TB2, fjala e fundit e teknologjisë që do të mbërrijë edhe në Shqipëri. Pajisjet, krenari e ushtrisë turke do të përdoren edhe në vendin tonë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Policia. Dy llojet e droneve IHA, mjet fluturues pa pilot, dhe SIHA, mjet fluturues i armatosur pa pilot u prezantuan në vitin 2014 ndërsa fluturimin e parë e kryen në vitin 2008. Pajisjet kanë një autonomi në ajër të paktën 24 orë, ka precizion në goditje ndërsa ka arritur lartësinë deri në 8 km.

Droni Baykar i prodhuar nga kompania me të njëjtin emër, është përdorur nga ushtria turke në luftën kundër terrorizmit. Ata kanë fluturuar mbi qiellin e Afrinit gjatë ndërhyrjes në Siri, në Libi si dhe gjatë përplasjes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë për rajonin e Nagorni Karabakut. 

Shqipëria do të harxhojë për dronet super inteligjent 8 milionë Euro ndërsa nuk bëhet e ditur se sa pajisje do të mbërrijnë në vendin tonë. Ata do të përdoren për të kontrolluar territorin si dhe për të shtuar sigurinë kombëtare. Marrëveshja është firmosur me kompaninë turke Bajkar ndërsa në ambjentet e saj kanë qenë pak ditë më parë edhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Klan News