Ish-presidenti Ilir Meta akuzoi mbrëmë në emisionin “Opinion” në Tv Klan kreun e SPAK, Altin Dumanin, se është takuar me ish-drejtuesin e dënuar të FBI-së, Charles McGonigal. Teksa u pyet nga gazetari Blendi Fevziu për verifikimet që SPAK po kryente ndaj tij, për çështjen CEZ-DIA, Meta tha hetimet kishin nisur pikërisht pas këtij takimi.

“Hetimi i SPAK-ut tarallakut ka nisur në Dhjetor të 2019, me prokuror Altin Dumanin, që bën si i fortë dhe mburret se do merret me Ilir Metën dhe se ka mbështetjen e amerikanëve. SPAK ka nisur hetim në Dhjetor 2019 për CEZ. Sipas të dhënave të mia, pas takimeve të Dumanit me McGonigalin e Edi Ramës”, tha Meta në “Opinion”.

Por kreu i SPAK, Altin Dumani, i ka hedhur poshtë akuzat e Metës si të pavërteta. Në një reagim për mediat, Dumani shprehet se ai nuk është takuar asnjëherë me ish-drejtuesin e FBI-së, i cili akuzohet në Shqipëri nga opozita se ka vepruar për llogari të kryeministrit Rama në dëm të Partisë Demokratike.

“Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme, të pabaza që bëhen për institucionin që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare”, tha Dumani.

I pyetur nëse ka hetime të mëtejshme për dosjen McGonigal, Dumani është përgjigjur se nuk mund të shprehet për këtë çështje. SPAK po heton edhe disa denoncime për Ilir Metën për pastrim parash e korrupsion dhe po verifikon rolin e tij në çështjen CEZ-DIA, por ish-presidenti tha Prokuroria e Posaçme po vepronte politikisht. Nën verifikim është edhe bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi.

Tv Klan