Sot, në “Historia Ime” nga Mirela Milori në “Tv Klan” erdhi rrëfimi i një gruaje 37-vjeçare, nënë e dy fëmijëve adoleshentë, me banim në kryeqytet, e martuar në vitin 2003. 17 vite më parë, në fillim të martesës, gjithçka dukej se shkonte mirë, jetonin me prindërit e tij dhe dukej një martesë krejtësisht normale.

Një ditë, ndërsa ndodhej në muajin e nëntë të shtatzënisë, zbulon se paratë e kursyera për shpenzimet e spitalit nuk i kishte më dhe kuptoi se bashkëshorti luante kumar. Lindja e vajzës nuk solli asnjë ndryshim në jetën e saj, problemit aktual iu shtua alkooli dhe mungesa e të ardhurave në shtëpi derisa vendosi të shkonte në shtëpinë e prindërve.

Bashkëshorti shkoi t’i kërkonte falje me premtimin se me kthimin e saj në shtëpi, nuk do të përsëritej më dhe pavarësisht mungesës së dëshirës së saj për një rikthim, e bëri për hir të familjes. Në krye të një viti, në vitin 2006, lindi një djalë.

Mirela Milori: Pra ti vendos të kthehesh te prindërit e tu.

Zonja X: Po, në momentin që u ktheva te prindërit e mi, erdhi ai së bashku me njerëzit e tij, u mblodhën të gjithë së bashku me babain dhe më thanë që nuk do e bëjë më, nuk do përsëritet më.

Mirela Milori: Ai ishte prezent?

Zonja X: Po, ishte.

Mirela Milori: Edhe betohej, thoshte që nuk do ta bëj më?

Zonja X: Edhe tha që “unë nuk bëj më, të kthehet në shtëpi”. Në atë kohë unë isha shtatzënë dhe nuk dija gjë, vajza ishte gjashtë muajshe, unë kisha qenë shtatzënë.

Mirela Milori: Kuptoj.

Zonja X: U kthyem. Babit i thashë “të lutem mos më kthe më te ai njeri se nuk kthen më”. Babi më tha që “më ke mua në krah, nuk do e bëjë më se na ka dhënë fjalën”. Që nga ajo ditë e deri më sot, atë punë ka bërë.

Situata nuk pati asnjë ndryshim, për 17 vjet me radhë ajo nuk ka patur asnjë ditë të lumtur me të, e vetmja lumturi janë fëmijët. Në vitin 2011 tentoi të hapte një gjyq divorci, por u tërhoq në seancat e pajtimit. Sot jetojnë në të njëjtën çati, por ai kërkon ta dëbojë nga shtëpia së bashku me fëmijët. Ajo kërkon ndihmë ligjore, e vendosur për të kryer divorcin. /tvklan.al