Gjithçka e paqartë rreth të ardhmes së Paulo Dybala. Negociatat midis Juventusit dhe sulmuesit argjentinas për rinovimin e kontratës që skadon vitin e ardhshëm po kthehet gjithnjë e më shumë në një telenovelë. Vullneti për të vazhduar së bashku nga të dy palët nuk mungon, me trajnerin Allegri që e konsideron lojtarin ideal për skemat e tij.

Por për momentin distanca midis ofertës dhe kërkesës është e lartë. Dybala kërkon pagë prej 12 milionë euro në sezon përfshirë bonuset, ndërsa klubi torinez nuk ofron më shumë se 10 milionë. Me largimin e Cristiano Ronaldos, argjentinasi konsiderohet si pasuesi i portugezit, gjithsesi bilancet ekonomike janë ato që po pengojnë negociatat.

Interesi për Dybala nuk ka munguar asnjëherë nga klubet e mëdha Europiane, kryesisht ato britanike. Kjo duket se i pëlqen edhe 27-vjeçarit, që tanimë duket se ka nisur planet për një eksperiencë të re larg Italisë.

Klan News