#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #Vitmar#Arber#Blerat#Piko#album#cd#petale#arditgjebrea#ataputhen#liste#kerkesa#prinder#shoqe#Geisu

Vitmar Basha e banda muzikore vijnë me një listë kërkesash për Marsela Çibukajn dhe tregojnë ‘fajet’ e saj

“Ka Një Mesazh Për Ty” i kushtohet sot një artisteje të talentuar që ka vjedhur zemrat e të gjithëve. Pak ditë më parë Marsela Çibukaj festoi ditëlindjen e saj në të cilën solli edhe mini-albumin “Petale”. Por djemtë që kanë ardhur për Marsela Çibukajn nuk kanë vetëm mesazhe dashurie, por një listë kërkesash për të.

Vitmar Basha, bashkëshorti i saj dhe banda e përbërë nga Arbri, Blerati dhe Piko duan t’i kujtojnë që duhet të jetë disi më e relaksuar, pa e shqetësuar veten edhe për gjërat e vogla.

Mesazhi fillimisht erdhi me veshjen e Pikos, i cili erdhi si asnjë i ftuar tjetër më parë në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan: me xhinse deri te gjuri, diçka të cilën Marsela nuk do ta kishte lejuar kurrë gjatë një shfaqjeje live. Ndër të tjera, djemtë na tregojnë edhe më shumë për natyrën e këngëtares përtej kamerës.


Vitmar: Sot kemi ardhur sepse e duam fort të gjithë në mënyrën tonë dhe t’i themi që jeta është më e bukur pa shumë preokupacione që ka ajo në përgjithësi, siç ishte i pari me Pikon, pastaj do vazhdojmë me listën.

Ardit Gjebrea: Pra ju keni ardhur me një listë me kërkesa. Cilat janë më thelbësore se ti the që nuk do të na dalin 4 emisione për të gjitha kërkesat që kam?

Vitmar: Po, e para është që ta dojë veten pak më shumë duke u munduar që ta heqë pjesën e ankthit para live sepse preokupacioni para live është ajo që e lodh më shumë sesa vetë live.

Ardit Gjebrea: Për çdo artist përpara se të këndojë live ka emocione, kështu që… apo ajo ka ndonjë gjë të ekzagjeruar?

Blerat: E ka gjithmonë herën e parë, sikur del për herë të parë në skenë, i njëjti emocion.

Ardit Gjebrea: Dhe çfarë thotë?

Blerat: Thotë “do ta fillojmë me këtë këngë, ‘Thërrime dashurie’”, Arbrit i thotë do fillojmë me këngën e Adele, “Set fire to the rain”, më thotë edhe mua “Set fire to the rain”, bëhu gati, filloje ti dhe unë bëhem gati për ta filluar dhe vetëm kur dëgjoj një akord pianoje, është kënga jonë.

Arbër: Sepse ndërkohë që Blerati është duke rregulluar tingullin e kitarës për “Set fire to the rain”, Marsela ka ardhur te unë dhe më ka thënë “Jon”.

Ardit Gjebrea: Ndërron mendje në mënyrë të jashtëzakonshme, po?

Arbër: Në çdo moment.

Vitmari vijon dhe thotë se edhe në shtëpi ndodh e njëjta gjë, Marsela nis të pastrojë shtëpinë për të larguar emocionet përpara performancës. Një kohë të gjatë merr edhe veshja dhe kur arrijnë në vendin ku do të performojnë, nis rituali i pastrimit të skenës që tashmë e shohin me humor.

Vitmar: Edhe sot ndodhi, në mëngjes, “do t’i futem të pastroj shtëpinë”, tha. Çfarë je duke thënë, si do të pastrosh shtëpinë, është mirë që të marrësh…relaksohu derisa të vijë ora që ne të ikim. E ka fiksim, para live do të lajë gjithë shtëpinë. Gjëja tjetër më e bukur është që kur merr një njeri që ta ndihmojë, e merr atë njeri që ta ndihmojë që ta mbajë me muhabet këtë se kjo bën punët, ajo rri bën muhabetin.

Arbër: Unë kur kam filluar të punoj me Marselën në fillim nuk e kuptoja akoma stilin sesi e kishte Marsela reagimin para live dhe filloja stresohesha vetë, çfarë ka që s’shkon me këtë? Një moment filloi po pastronte skenën, mori valixhet e tastierave, mori këllëfin e kitarës, po i pastronte nga skena. E pashë atë lëvizjen që po bënte dhe i thashë o Marsela, je që je merre këtë fshesën dhe vazhdo pastro gjithë lokalin se je në rregull, që të qetësohesh.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë ti ankohesh për vonesat e saj, si ka mundësi?

Vitmar: Para live, nuk ka mjaftuar që ka pastruar gjithë shtëpinë, ka larë, ka shfryrë gjithë emocionet, ankthin, por nuk arrin dot të gjejë fustanin e duhur ose veshjen e duhur dhe kjo i ha gati 2-3 orë para live.

Ardit Gjebrea: Të merr mendim?

Vitmar: Po, gjithmonë.

Ardit Gjebrea: Dhe në fund bën me kokën e vet, bën të kundërtën?

Vitmar: Po.

Ardit Gjebrea bën një ‘faj’, ‘përmbys’ planet e Marsela Çibukajt me një surprizë

Marsela Çibukaj sapo ka sjellë mini-albumin e saj të parë me 4 këngë në ditën e lindjes së saj, njëra prej të cilave tashmë  gjendet në të gjitha platformat. Si çdo projekt tjetër i këngëtares, as ky nuk bën përjashtim nga kurimi deri në detaje për të sjellë përsosmërinë që ajo kërkon.

Por personat që kanë ardhur ta surprizojnë në “Ka Një Mesazh Për Ty” duan që ajo të shqetësohet më pak. Këngëtarja tashmë ka mbërritur në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan dhe nuk e ka mësuar ende se kush e pret pas ekranit, por fillimisht mëson se situata mund të dalë ndonjëherë edhe jashtë kontrollit të saj dhe të kthehet në diçka edhe më të bukur.

Kënga e dytë në albumin e Marselës titullohet “Fajet” dhe sipas kalendarit të saj, duhet të dalë pas dy ditësh. Por moderatori Ardit Gjebrea i ka ndryshuar tërësisht planet e saj duke e afruar datën e publikimit e cila është sot!


Ardit Gjebrea: Edhe ne kemi bërë një faj sot nëse mund të quhet faj.

Marsela Çibukaj: Çfarë keni bërë?

Ardit Gjebrea: Ti e di që unë kam shumë miqësi me studion ku ti ke regjistruar.

Marsela Çibukaj: Po, janë të gjithë djemtë të cilët kanë qenë prezent edhe në “Kënga Magjike”, janë si të gjithë ne, jemi të dashuruar me festivalin “Kënga Magjike”, por mbi të gjitha, Arditi për ne të gjithë është frymëzim.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë kënga “Fajet” nuk do të dalë pas dy ditësh.

Marsela Çibukaj: Por kur do dalë?

Ardit Gjebrea: Sot.

Marsela Çibukaj: Sot?

Ardit Gjebrea: Sot.

Marsela Çibukaj: Dhe unë nuk di asgjë?

Ardit Gjebrea: Jo.

Marsela Çibukaj: Okej.

Ardit Gjebrea: Kjo është surpriza e parë.

Marsela Çibukaj: Bukur fort! Të gjitha planet ndryshojnë.

Marsela do të performojë më vonë këngën e saj të re që menjëherë më pas do të publikohet edhe në Youtube.

“Asnjëherë s’të kemi kuptuar”, kërkesa e faljes së prindërve përlot Marsela Çibukajn

Surprizat sapo kanë filluar për Marsela Çibukajn në ”Ka Një Mesazh Për Ty” sepse ditëlindja e këngëtares duket se do të zgjasë edhe më shumë. Pasi mësoi nga moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea se kënga e dytë e albumit të saj, “Fajet” ndryshe nga ç’ishte parashikuar, do të publikohet këtë të diel, ka ardhur momenti për të zbuluar kush ndodhet pas ekranit.

Dyshimi i parë i këngëtares janë prindërit e saj, edhe pse ajo thotë se i ka përcjellë vetë për në Itali vetëm pak ditë më parë. Megjithatë, në ekran shfaqen pikërisht prindërit e saj që i kërkojnë falje dhe i shprehin krenarinë e pamatë Marselës së përlotur.


Babai i Marselës, Vladimir: Marsela, të keqen babi! Babi në fillim nuk e kuptoi që ti kishe pasion për muzikën, meqë ishe e shkëlqyer në shkollë mendoja që të bëheshe një avokate.

Nëna e Marselës, Adelina: Marsela, edhe mami të kërkon falje zemër sepse asnjëherë s’të kemi kuptuar! Ia vlejti me gjithë mend ajo zhurma e vogël që ti bëje nëpër shtëpi. Jo vetëm kaq, por në pushimet verore ti mundoheshe të punoje për të blerë një instrument kështu që zhurma u shumëfishua në shtëpinë tonë, por ia ka vlejtur me gjithë mend ajo zhurmë sepse arrite atje ku je sot. Ne jemi shumë krenarë për ty shpirt i mamit, të urojmë suksese dhe jemi prindërit më të lumtur në botë.

“Dy prindër të mrekullueshëm! Një surprizë shumë e bukur! Faleminderit Ardit!”, tha këngëtarja mes lotësh.

Lajm 4: Rrinte me orë të tëra në tualet duke imituar Jennifer Lopez, motra kujton fillimet e Marsela Çibukajt

Ditëlindja e Marsela Çibukajt ishte disa ditë më parë, por festa vazhdon edhe në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Këngëtarja është ftuar në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan nga disa njerëz shumë të veçantë, por ajo ende nuk e ka mësuar se kush e pret pas ekranit.

Pas videomesazhit të papritur të prindërve, Marsela hamendësoi se mund të jetë motra, Jonida. Në njëfarë mënyre, edhe ajo është e pranishme në këtë ditë speciale për të përmes një mesazhi ku kujton fillimet e Marselës në muzikë dhe rrugëtimin e saj drejt majave.

Motra e Marselës, Jonida: Kujtimi im më i bukur me ty ka qenë kur të kam përzënë nga dhoma e gjumit dhe të çova në sallon sepse në dhomën e gjumit e kishe mbushur plot me mikrofonë, amplifikatorë, tastierë, me çdo instrument dhe nuk kishte më vend për mua. Ose e mbaj mend shumë mirë kur ziheshim sepse më bllokoje banjën, rrije tre orë në banjë dhe imitoje Jennifer Lopez me tharëse flokësh. Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë që nga ajo dhomë aq e vogël ti të arrije me muzikën tënde në këto skena kaq të mëdha. Çfarë të them? Të kam zemër!

“Hyre në shtëpinë tonë si rreze drite kur kishim dhimbje”, vjehrra surprizon Marsela Çibukajn

Rubrika  “Ka Një Mesazh Për Ty” ka përgatitur një mori surprizash për Marsela Çibukajn në javën e saj të ditëlindjes. Pas videomesazheve nga familja e saj e ngushtë, prindërit dhe motra,  është momenti që të shohë se kush është personi i radhës që ka disa fjalë për të.

Moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan ‘e ngatërron’ paksa këngëtaren dhe i thotë se “jo vetëm Vitmari, por edhe vjehrra ankohet” për të. Në të vërtetë, nëna e Vitmarit i ka dërguar një nuses së saj një mesazh të tejmbushur me dashuri.


Nëna e Vitmarit, Geisu: E dashur Marsi! Kur hyre në shtëpinë tonë ke hyrë në një moment kur ne patëm një dhimbje shumë të fortë dhe erdhe si rreze drite te ne. Ti për mua je një muzikë pa fund. Je me të vërtetë një shpirt artistik dhe kënaqësia më e madhe që mund të ndiejë një nënë është të shoh që im bir është i lumtur me ty, është i kënaqur, është i qetë. Të du’ fort dhe vazhdo të jesh gjithmonë kjo që je!

Marsela Çibukaj: Geisu, sa e dashur që është! Një zonjë grua e jashtëzakonshme dhe shumë frymëzuese, jo vetëm shpirtërisht por edhe artistikisht. Është kritikuesja por edhe këshilluesja më e mirë për sa i përket edhe përzgjedhjeve muzikore duke qenë se është profesioni i saj, i dirigjentes së orkestrës, pianiste e jashtëzakonshme, për mua është një pikë referimi shumë e rëndësishme. E dua shumë, e du’ fort, si e thotë në mënyrë tironce, e du’ fort.

Dueti i munguar me Vitmarin, Marsela Çibukaj zbulon pse nuk është realizuar ende

Në ekranin e “Ka Një Mesazh Për Ty” u shfaq një listë kërkesash për Marsela Çibukajn të shkruara nga personat që e kanë ftuar në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan. Më pas, disa fshesa të ndryshme që tregojnë zakonin e saj për të pastruar skenën përpara çdo performance u shfaqën në studio duke e nxitur të mendonte një emër.

Këngëtarja pati disa ide duke përmendur ata që i vinin ndërmend, por pyetja e fundit e bindi se është partneri i saj, Vitmari. Ajo iu përgjigj edhe pyetjes duke zbuluar pse nuk kanë ende një duet asë bashku.


Marsela Çibukaj: Është Vitmari.

Ardit Gjebrea: “Një duet bashkë do ta kemi apo jo?”

Marsela Çibukaj: Faktikisht është një duet që të gjithë presin, unë mendoj që është Vitmari sepse unë kam bërë bashkëpunime edhe me artistë të tjerë por me artistin që kam në shtëpi ende jo. Kjo sepse sa herë që ne ulemi për të kompozuar diçka bashkë, ai ka frymëzimin e tij, unë kam timin dhe sigurisht që kemi ato përplasjet stilistike në kompozimin e këngës dhe ngaqë kam lirshmërinë apo lirinë që edhe të mërzitem më thjesht me një person  që e kam të zemrës, e kam të afërt sesa me një kompozitor me të cilin punoj në studio, me Vitmarin ndërpritet gjithmonë puna sa ka filluar kështu që s’kemi përmbyllur asnjëherë një projekt bashkë. Unë mendoj që është Vitmari.

“Mos e ndëshko veten dhe as ne”/’Bashkëvuajtësit’ i shprehin kërkesën Marsela Çibukajt

Më në fund mbërriti momenti që Marsela Çibukaj të mësonte kush e ka ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Këngëtarja u habit kur pa se pas ekranit në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, nuk ndodhej vetëm partneri, Vitmari siç ajo mendonte, por edhe djemtë e grupit muzikor: Arbri, Blerati dhe Piko.

Në fillim të programit, ata ‘u ankuan’ për kërkesat e Marselës dhe këtë herë i dërguan asaj një listë me kërkesat e tyre. Gjëja më kryesore që ata duan t’i shprehin si ‘bashkëvuajtës’ është të jetë më e qetë pasi e bën punën e saj në mënyrë të përsosur dhe nuk është nevoja të lodhet aq shumë pasi të gjithë janë në çdo kohë pranë saj.


Vitmar Basha: O Marso, kemi ardhur të gjithë sepse jemi të gjithë bashkëvuajtës në këtë situatë.

Marsela Çibukaj: Kanë të drejtë, s’jam kundër.

Vitmar Basha: Por duhet të dish që ne të duam shumë fort, secili në mënyrën e tij dhe e vetmja gjë që të kërkojmë është që ta duash pak më shumë veten duke mos e ndëshkuar veten kaq shumë dhe rrjedhimisht ne.

Ardit Gjebrea: Ke hallin tënd apo të Marselës?

Marsela Çibukaj: Të vetin. E di unë se ku do të arrijë.

Vitmar Basha: Tani u emocionova dhe unë se ka qenë e gjitha një javë që unë mundohesha të fshihesha. Gjithsesi unë të uroj që me ndihmën e Zotit, energjisë, natyrës dhe shoqërisë dhe talentit që ke, të kesh mundësi që të ecësh më shumë sesa gjysma e asaj që ti punon. Ti punon 100%, gjithmonë ke marrë 50%, shpresoj që të bëhet e anasjellta, shpresoj që të punosh 50% dhe të fitosh 100% sepse unë e di që ti lodhesh psikologjikisht dhe nga pikëpamja e analizave mendore që bën gati 200% dhe mendoj që e ndaj këtë gjë edhe me çunat.

Ardit Gjebrea: Dhe Arbri në emër të band-it?

Arbër: Në emër të band-it, e para,  s’kemi asnjë fjalë për të thënë njëherë. Ishte pak a shumë e njëjta gjë që thotë edhe Vitmari, ne duam që ti të jesh e qetë në çdo moment, ne na ke në mbështetje gjithë kohës, mos u preokupo shumë për punët e të tjerëve, punën tënde e bën më së miri, ti ia ke dalë në çdo moment dhe vazhdo kështu!

/tvklan.al