Të krishterët ortodoksë para se të festojnë Pashkën, kujtuan të premten e zezë. E njohur edhe si e Premtja e Madhe, ajo është dita që përkujton vuajtjen dhe vdekjen në kryq të Jezu Krishtit.

Besimtarët në Tiranë u mblodhën në Katedralen ringjallja e Krishtit rreth orës 19:00 për shërbesat, që si zakonisht filloi me himne rreth vuajtjes dhe vdekjes së Krishtit.

Më pas klerikët dhe besimtarët dolën jashtë Katedrales së Tiranës duke përkujtuar në rrugë ecjen me kryqin mbi shpinë të Jezu Krishtit.

Nën tingujt liturgjike, Epitafi përshkoi rrugën nga Katedralja drejt sheshit Skënderbej për t’u rikthyer më pas në kishë për shërbesat fetare dhe pritur natën e Pashkëve, që sjell gëzimin e ringjalljes së Jezusit.

E premtja para Pashkës, u kremtua edhe nga besimtarët ortodoksë të Korçës. Rituali i kalimit nën epitaf u shoqërua në heshtje përgjatë ecjes në rrugët kryesore të qytetit.

Ky rit fetar qe shpreh dhimbjen e besimtarëve për kryqëzimin e Krishtit u zhvillua edhe në Durrës.

E premtja e zezë është dita kur vdiq Jezu Krishti dhe të krishterët e përkujtojnë si një ngjarje të rëndësishme, sepse i hapi rrugën ringjalljes dhe jetës së përjetshme.

Klan News