Qendra e Kinostudios në Tiranë i është nënshtruar rikualifikimit urban. Teksa pa nga afër punimet në këtë zonë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ky transformim do i sjellë një vlerë të shtuar pronës.

“Jam i sigurt që banorët mezi e kanë pritur shtrimin e kësaj pjesës, të lirohet qarkullimi dhe pastaj të punojmë te rrethrrotullimi i Kinostudios, ku bashkohet ‘Aleksandër Moisiu’ me ‘Xhanfize Kekon’. Projekti do ta kthejë vërtet këtë park në një park arti dhe sigurisht, do t’i sjellë një super vlerë zonës”.

Veliaj u ndal edhe tek banesat për të prekurit nga tërmeti, ku shumë shpejt pritet të shpërndahet Loti i Dytë.

“Po të shikosh numrin e shtëpive që po shiten dhe sa të huaj po blejnë shtëpi dhe sa po rritet vlera sa herë që bashkia bën investime të tilla, besoj që është vetëm çështje kohe sa ta shohim tamam në Kinostudio. Sigurisht, Njësia 4 është një njësi e shtrirë, pra fillon edhe këtu në Kinostudio, ku ndahet me 3-shin dhe mbaron te Bregu i Lumit, ku prapë lagjia e re do të ketë shumë shpejt lotin e shtëpive që do të shpërndahen. Ne do duhet që të caktojmë bashkë me njësinë administrative një datë që të hedhim shortin, ku fëmijët e secilës familje, atë që është taksur për ta, ta zgjedhin vetë me short, ku do e kenë apartamentin e tyre.”

Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve, të cilët kanë ndërtuar pa leje dhe duhet të shpronësohen për investime infrasktrukturore.

Tv Klan