U mor në pyetje për inceneratorët

Ministri i Financave Ervin Mete, u mor në pyetje pasditen e kësaj të mërkure nga Prokuroria e Posaçme për disa minuta.

Ai u paraqit para hetuesve të posaçëm pa avokatë dhe mësohet se  ka dëshmuar si person që ka dijeni mbi rrethanat e hetimeve që po kryehen për çështjen e inceneratorëve.

Burime konfirmuan për Tv Klan se Mete ka dhënë sqarime për dosjen që lidhet me ish-ministrin Arben Ahmetaj.

Deklarimet e tij lidhen me kohën kur ai shërbente si zëvendës ministër në Ministrinë e Ekonomisë.

Të njëjtat burime thanë se gjatë kësaj kohe janë zbuluar disa emaile që ministri Mete i ka nisur kompanisë koncesionare.

Mete pas daljes nga SPAK nuk dha asnjë koment për median në lidhje me rrethanat që sqaroi për hetuesit e SPAK.

Prej disa javësh SPAK është duke marrë një sërë dëshmish në lidhje me këtë dosje hetimore, duke thirrur zyrtarë e ish-zyrtarë, emrat e të cilëve kanë dalë nga komunikimet me email apo edhe nga shkresa të tjera të administruara deri më tani.

Por kjo është hera e parë që Struktura e Posaçme kërkon sqarime edhe nga ministri i Financave për rolin që ai ka pasur në aferën e inceneratorëve, e cila ka çuar në burg ish-ministrin Lefter Koka, deputetin Alqi Bllako e afro 20 persona të tjerë, ndërsa si pjesë e hetimit të nisur për këtë çështje u shpall në kërkim edhe ish-ministri i Financave dhe ish-zv/Kryeministri Arben Ahmetaj.

Tv Klan