Teuta do të luajë në Irlandë kundër Shamrock Rovers, kurse Laçi pret Anderlecht

Teuta do të përballet sot në orën 21:00 me ekipin e Shamrock Rovers në transfertë në raundin e tretë kualifikues të Conference League. Një sfidë e vështirë për kampionët e Shqipërisë, që do të synojnë që të marrin një rezultat pozitiv.

Irlandezët janë në kulmin e sezonit, pasi kanë luajtur 22 javë kampionat dhe normalisht ritmi i tyre në krahasim me durrsakët është më i lartë.

Edhe Laçin e pret një sfidë e vështirë në turin e tretë të Conference League. Në “Elbasan Arena” në orën 19:00 ata do të luajnë ndaj një ekipi të njohur të futbollit evropian, Anderlecht-it.

Kurbinasit janë të karikuar dhe pavarësisht se rivali ka mjaft eksperiencë dhe futbollistë cilësorë, do të synojnë që të befasojnë.

Anderlecht është një nga ekipet më të suksesshme në Belgjikë. Me eksperiencë në kompeticionet europiane, ka një skuadër që në total vlen rreth 100 milionë euro dhe drejtohet nga një emër i njohur i futbollit, Vincent Kompany.

Klan News