Vrasësi i maskuar me paruke dhe pistoletë me silenciator

Emisioni “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus ka siguruar pamjet ekskluzive të kamerave të sigurisë që kanë filmuar vrasjen e Saimir Beqirit mëngjesin e 11 Prillit 2016 në periferi të Elbasanit. Vrasja është konsideruar si vazhdim i sagës së vrasjeve mes grupeve të Elbasanit. Saimir Beqiri është vëllai i Gentian Beqirit, ky i fundit i vrarë më 15 Gusht 2012.

Ora shënon 06:40 e mëngjesit (në kamerat e sigurisë ka mospërputhje kohore prej 60 minutash), kur Saimir Beqiri mbërrin përpara derës kryesore të një magazine, duke udhëtuar me automjetin e tij tip “Volkswagen” ngjyrë e bardhë.

Por ai nuk e kishte vënë re se ndiqej nga vrasësi i tij. Një makinë “Mercedes-Benz” ngjyrë e zezë mbërrin pak sekonda pas Saimir Beqirit në të njëjtin vend. Brenda mjetit janë dy persona, vrasësi dhe shoferi.

(VIDEO: EMISIONI I PLOTË)

Në pamjet e kamerave të sigurisë shihet një person që del i maskuar me paruke dhe mban në dorë një pistoletë me silenciator.

Saimir Beqiri, sapo vendos kontaktin e parë me sy me vrasësin, për një çast shtanget. Më pas, fillon të vrapojë për t’i shpëtuar ekzekutorit. Por ky i fundit e ndjek me vrap nga pas deri sa arrin ta qëllojë me armë duke i shkaktuar vdekjen. Në vendngjarje policia gjeti gëzhoja të dy armëve, çka do të thotë se Saimir Beqiri u qëllua fillimisht me një pistoletë me silenciator dhe më pas me një revolver.

Ndërkohë që në pamje vihet re se si shoferi i vrasësit shoqëron me automjet ekzekutorin që vrapon në këmbë pas Saimir Beqirit. Më pas, mjeti i tyre largohet me shpejtësi në një rrugë dytësore në drejtim të Metalurgjikut. Nga analizimi i kamerave të sigurisë, vrasja ka zgjatur rreth 30 sekonda. Ekzekutimi i Saimir Beqirit ende sot e kësaj dite mbetet e pazbardhur. /klanplus