Ekzekutohet ish-anëtari i bandës së Durresit



Ekzekutohet ish-anëtari i bandës së Durresit

15:41 20/03/2021

Autorët dogjën makinën pranë Sukthit

Durrësi u trondit mëngjesin e së shtunës nga një tjetër ekzekutim mafioz. 40-vjeçari Edmond Koçi i njohur edhe si “Mond Çekiçi”, që shihni në këtë foto, u qëllua me breshëri armësh në makinën e tij sapo doli nga banesa, rreth orës 08:40, në lagjen 16, pranë Drejtorisë Arsimore. Ai është një person me precedentë penalë, i njohur si ish-anëtar i bandës së Durrësit të Lulzim Berishës.

Autorët i kanë prerë rrugën me një automjet tip Benz me targa të vjedhura. Shoferi i viktimës ka dalë nga makina për të kërkuar sqarime, ndërsa dy nga autorët kanë zbritur nga makina e tyre dhe kanë hapur derën e fuoristradës, në anën ku po qëndronte Edmon Koçi. Pasi kanë debatuar për pak sekonda, Koçi mësohet se ka tentuar të mbylli derën dhe këtë moment autorët kanë qëlluar me breshëri automatiku, duke e lënë të vdekur në vend 40-vjeçarin.

Siç duket edhe nga pamjet, makina e tij tip Mercedes Benz ka shenja të shumta të plumbave.

Në vendim e ngjarjes ekspertët gjetën rreth 12 gëzhoja. Burime nga grupi hetimor thanë se autorët kanë qenë të pamaskuar dhe më pas janë larguar në drejtim të Sukthit ku kanë djegur makinën e tyre çka i ka bërë hetuesit të besojnë për një atentat të mirëorganizuar. Brenda në makinë ishte lënë edhe arma e krimit. Menjëherë pas ngjarjes policia ngriti pika të shumta kontrolli në akset kryesore në drejtim të Tiranës dhe të Kavajës, ndërsa shoqëroi edhe mbi 20 persona të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen. Mes të shoqëruarve është edhe shoferi i viktimës, dëshmitar okular në momentin e ekzekutimi.

Përpara hetuesve të çështjes ai ka treguar dinamikën e ngjarjes, ndërsa ka deklaruar se nuk i njihte autorët. Gjithashtu ai ka pohuar se njihej prej pak kohësh me viktimën dhe se nuk kishte dijeni për konfliktet e tij me persona të tjerë.

Edmond Koçi konsiderohej nga policia e Durrësit si person me rrezikshmëri, ndërsa është ndaluar dhe dënuar disa herë për akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe kundërshtimit të forcave të policisë. Pista kryesore ku janë përqendruar hetimet është e kaluara e viktimës, por edhe konfliktet e fundit që ai mund të ketë pasur. 2 muaj më parë, në 24 Janar, po në këtë zonë u ekzekutua në një atentat të ngjashëm Edmir Bregu, i njohur edhe si Ilir Kuçi, mik i ngushtë me viktimën e së shtunës.

Tv Klan










Të ngjashme