Sefa, shqiptari i parë i ekstraduar në Britani

Elton Sefa, shqiptari i parë i ekstraduar drejt Britanisë së Madhe, është shpallur fajtor për vrasjen e përgjegjësit të tij, John Woodward. Britaniku ishte përgjegjës në një kompani ndërtimi që po punonte në Hatton Garden të Londrës, ndërsa shqiptari, një punëtor që kishte punuar me viktimën për rreth 7 muaj me radhë. I riu nga Durrësi kishte përdorur emrin fals “Frankie” dhe detaje personale të vjedhura për të fituar punën. Sipas asaj që shkruajnë mediat, duke iu referuar edhe dëshmive përgjithësisht ata kishin shkuar mirë me njëri-tjetrin. Megjithatë një punëtor ka treguar se një ditë para vrasjes ka pasur tension mes të dyve, pasi Woodward ishte bezdisur për faktin që Sefa i kishte pastruar mjetet e punës më herët seç duhet.

Më 17 Prill 2018, të dy punonjësit kishin shkuar në ndërtesën ku punonin. Sefa dhe Woodward kanë qenë duke punuar vetëm në katin e katër të ndërtesës. Pas orës 14:00, Sefa shikohet në kamerat e sigurisë teksa zbret nga dhoma e stafit deri në katin e parë. Ndërkohë që ecën ai shfaqet duke parë nga mbrapa. Mendohet se shqiptari e ka goditur përgjegjësin me një shufër metalike disa herë në kokë. Më pas, shqiptari u largua nga ndërtesa duke e lënë Woodward të plagosur në katin e katërt. Trupi i përgjegjësit u zbulua 40 minuta më vonë nga një punëtor tjetër.

Autori, Elton Sefa

Në orën 15:07 u konfirmua se përgjegjësi britanik kishte ndërruar jetë. Nga ekzaminimi mjeko-ligjor u zbulua se ai vdiq nga goditjet e forta në kokë. Po ashtu ai kishte të prera në qafë të shkaktuara nga një thikë që u gjet afër vendit të ngjarjes. Oficerët e policisë zbuluan se Sefa, i cili mes kolegëve njihej si “Frankie”, se kishte lënë ndërtesën pas ngjarjes pa nënshkruar firmën se është larguar nga puna. Pasi studiuan kamerat e sigurisë, hetuesit gjetën se Sefa ka pasur gjak në duar kur është larguar nga skena e krimit. Po atë ditë, rreth 5 orë pas ngjarjes, ai i ka hipur avionit dhe ka arritur në Amsterdam.

Pas Holandës, ai iu drejtua Shqipërisë, ku qëndroi në shtëpinë e tij në Xhafzotaj të Durrësit. Identiteti i vërtetë i Sefës u zbulua pak kohë pas vrasjes dhe ai u arrestua nga autoritetet e vendit tonë më 28 Shkurt të vitit 2019. Në Janar të 2020-ës ai u esktradua drejt Mbretërisë së Bashkuar. Më 29 Qershor Sefa u shpall fajtor për vrasjen e përgjegjësit të tij. Më 8 Korrik, ai pritet të mësojë fatin e tij se sa vite burg duhet të vuajë për të shlyer krimin që ka bërë.

Viktima, John Woodward

“Elton Sefa ka refuzuar që të tregojë se pse e ka sulmuar John në një mënyrë kaq brutale duke i shtuar ankth familjes së viktimës. Për familjen e John shpreh vetëm admirim për durimin dhe dinjitetin që keni treguar këto 3 vite. Shpresoj që me dënimin e Sefës të mund të rindërtoni jetët tuaja dhe të lëvizni përpara. Ka qenë një hetim kompleks dhe i vështirë. Dua që të falenderoj të gjithë ata që ishin të përfshirë në operacionin që  sollën Sefën në Mbretërinë e Bashkuar për t’u përballur me drejtësinë”, tha në një reagim detektivi James Howarth./tvklan.al