Të shumtë kanë qenë ata qytetarë të prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit, të cilët kërkuan ndihmën e emisionit “Stop” në Tv Klan. Banorë nga Durrësi, Laçi, Mamurrasi, Zallbastari, Preza e Tirana tregojnë tronditjen psikologjike që kanë pësuar.

“Jam Bledari, banues në Durrës. Banoj tek pallati “Kristi konstruksion”. Pallati është totalisht i dëmtuar dhe kërkojmë ndihmë nga shteti. Askush nuk ofron ndihmë. Pyesin, na thonë nuk kemi çfarë të bëjmë. Kërkojmë ndihmë nga ju që të na ndihmoni, të paktën të fusim kokën se kemi 4 ditë që po flemë në makinë”.

“Unë quhem Violeta, jam e vetme. U tremba shumë kur ra tërmeti, kam 4 fëmijë me nipër me mbesa. I kam në Francë, Gjermani, Angli. S’kam ku të shkoj”.

“Jam banor i fshatit Vilës. Shikoni murin që është i çarë nga goditja e tërmetit. Kanë rënë tavanet, është çarë muri këtu tek dera. U ngritën fëmijët të dalin jashtë, nuk dilnin se dera nuk hapej. Shyqyr Zotit që shpëtuam pa viktima, por banesa ka dalë jashtë kontrollit, s’është e banueshme. Ju lutem emisionit Stop, bëj apel për ndihmë”.

“Unë jam Sabrije Nuredini, jeton vetëm me 4 fëmijët në Kinostudio me qira. Shtëpia m’u dëmtua, nuk jetohet më në të”.

“Jam Rajmonda Dika nga Mamurrasi. Më është shembur shtëpia, nuk është shtëpi e banueshme. Jemi 8 persona, nuk kam ku të jetoj, nuk kam ku të rri”.

“Kemi mbetur rrugëve, na u prish shtëpia”.

“Unë jam nga Durrësi, jam Rajmonda. Më është dëmtuar shtëpia, është pallat 11-katësh, është e pabanueshme. Goca më është dëmtuar nga gjuri. Dhe unë jam e sëmurë, jam me leuçemi, pa ilaçe. Jam me tension, ilaçe stomaku, tani për momentin vetëm për ilaçe kisha nevojë. Kemi dalë me rroba trupi”.

“Vij nga Durrësi, nga plazhi. Jetonim me qira aty dhe u shemb pallati”.

Pasi bënë apel për një banesë, erdhi dhe reagimi i menjëhershëm i qytetarit Flamur Dajçi, i cili liroi ndërtesën 5-katëshe me 80 dhoma për 300 familjarë. Flamuri tregon se për ushqime e nevoja bazike e kanë ndihmuar shumë qytetarë, “Aleanca për Teatrin” dhe “Fundjava Ndryshe”, të cilat dërguan kamion me ushqime, batanije e ndihma të tjera. Një grup kuzhinierësh kanë ofruar me fondet e veta 1 mijë pjata në drekë dhe darkë, dhe thonë se do ta bëjnë këtë përsa kohë të ketë nevojë.

Flamur Dajçi: “Situata e krijuar nga tërmeti na stresoi të gjithëve si familjarë edhe dy çunat e mi u bënë sebep që unë të kontribuoja. Kontaktuam direkt me Stopin. Kemi një objekt 5-katësh, ky objekt ka funksionuar si konvikt. Për 300 banorë. Na janë afruar të gjithë banorët e Unazës së Re. Tre turnesh punohet këtu, gra, zonja, zonjusha, të vjetër, të rinj, vijnë ngarkojnë-shkarkojnë gjithë ato ushqime që kanë ardhur nga Teatri nga Fundjava Ndryshe”.

“Ne si Fundjavë Ndryshe sollëm për këtë familje një kamion me ndihma, kemi sjellë batanije, bazë ushqimore për gjithë familjet që janë strehuar këtu. Dhe ne do vazhdojmë t’i sjellim”.

Flamur Dajçi: “Deri tani nuk është ndjerë dora e shtetit. I gjithë kontributi është nga qytetarët e thjeshtë. Nuk bëhet vetëm me qytetarë, duhet dora e pushtetit”.

Sonila Tatili: “Jam përfaqësuese koordinatore e Qeverisë Studentore edhe Çështjeve Studentore në Universitetin Kanadez. Ndërmorrëm një nismë nën logon e Universitetit tonë së bashku me studentët dhe kolegë të tjerë. Kemi dhënë kontributin dhe kontaktin e patëm me grupin e vullnetarëve Xhonit dhe Elona, të cilët kanë gatuar ditë pas dite që në orarin e parë të mëngjesit të asaj dite deri në momentin që flasim. Kontributi është me zemër dhe do vazhdojmë ta bëjmë”.  /tvklan.al