Dikur emigronin me të gjitha mënyrat drejt Shteteve të Bashkuara nga territori i Kanadasë, por po ndodh e kundërta. Vetëm gjatë vitit 2017 ishin rreth 50 mijë emigrantë të paligjshëm nga vendet afrikane apo të Amerikës Latine që u dorëzuan në mënyrë vullnetare policëve kufitarë kanadezë, me qëllim që duke u arrestuar dhe marrë në paraburgim mund të kërkojnë azil në Kanada.

Me ardhjen në pushtet të Presidentit Trump, emigrantët po e braktisin tokën amerikane. Shtetet e Bashkuara, duke filluar këtë verë, do të fillojnë heqjen e statusit të përkohshëm të mbrojtjes, të cilin aktualisht e gëzojnë më shumë se 300,000 shtetas të huaj që jetojnë në tokën e SHBA.

Plani i Trump për të reformuar sistemin e emigracionit përfshin kërkesën për 25 miliardë dollarë për forcimin e sigurisë së kufirit, përfundimin e lotarisë amerikane dhe kufizime më të rrepta për rastet e bashkimit familjar. Trump ka fajësuar ligjet e dobëta të migracionit për lejimin e terroristëve në vend.

“Po largohem nga Amerika sepse më kanë thënë që do të deportohen në Burundi. Ne ikëm nga Burundi kur njerëzit donin të na vrisnin. Unë shpresoj se në Kanada do të mbrohem dhe pastaj do të jetoj në liri”,

shprehet një emigrant.

“Jam nga Burundi. Gjatë trazirave në vendin tim arrita te largohem në Amerikë. Kanë kaluar 11 muaj dhe nuk kam pasur asnjë ndihmë fare. Është e vështirë për të ngrënë dhe për të gjetur një vend për të fjetur. Unë i kam paraqitur letrat tek autoritetet e emigracionit amerikan dhe nuk m’u dha shpresë. Kuptova se do të vdisja në rrugë nëse nuk gjeja ndonjë mënyrë tjetër dhe kalova kufirin kanadez”,

thotë një tjetër

.

Në vitin e fundit të administratës së Obamës në detyrë, vetëm rreth dy mijë e gjysmë persona u arrestuan për kalim ilegal në kufirin kanadez, por në vitin 2017 gati 50,000 u larguan nga SHBA për të aplikuar për azil në Kanada. Refuzimet ndaj atyre që kërkojnë azil me ardhjen e Trump në pushtet janë rritur.

Klan Plus