Pjesa e dytë e rubrikës “Shihemi në Gjyq” në “E diela Shqiptare” iu rikthye seancës së parë kur nisi sezoni, 7 Tetor 2018. Laureta kërkoi asokohe ndihmën e juristes Eni Çobani që ajo të ndahej nga bashkëshorti dhe premtimi u mbajt.

Historia 7 Tetor 2018

Laureta, një nënë e re nga Pogradeci, e cila ka dy fëmijë me bashkëshortin e saj Armandon. Martesa e tyre nuk funksiononte siç duhej dhe ajo kërkonte divorcin dhe kishte ardhur në seancën e ndërmjetësimit së bashku me nënë e saj Skënderien. Laureta rrëfeu në seancën e 7 Tetorit se gjatë 8 viteve të martesës, ajo kishte konsumuar vetëm 4 muaj e gjysmë kohë fizike me bashkëshortin, pasi ky i fundit jetonte dhe punonte në emigrim në Greqi, e më pas në Gjermani.

Laureta:

Kemi 8 vjet martesë me Armandon, kemi sjellë në jetë dy fëmijë çupë e djalë, 7 edhe 6 vjeç. Armando nuk ka qenë prezent gjatë ardhjes në jetë të fëmijëve, ka qenë emigrant në Greqi. Unë kam jetuar te prindërit e Armandos. Pas këtyre 5 viteve jetesë me prindërit e Armandos, kam vajtur në Greqi, kam ndenjur 3 muaj. Atje Armandon e njoha mirë, që ai dilte, vazhdonte jetën e tij të natës. Pastaj i kam kërkuar llogari Armandos, që mos dil kështu se je vet i katërt. Armando më ka kthyer përgjigje që e di unë, punoj vet i prish vet lekët. Unë nuk i kam bërë shamatë më tej se ma preu shkurt. U ktheva pas 3 muajsh në shtëpi. Sot ndodhem te prindërit. Kthehu atje ku e ke vendin më thonë. Po mua më nxorrën jashtë, si vjehrri edhe burri.

Laureta kërkoi ndihmën e juristes Eni Çobani që ajo të ndahej nga bashkëshorti, dhe premtimi i bërë u mbajt.

Eni Çobani:

Divorci në të tilla raste është zgjidhje. Pra nuk mund të lëmë një vajzë kaq të re me dy fëmijë, të shkojë përsëri në një familje që nuk e duan. Është tjetër dashuria ndaj nipit dhe mbesës.

Zgjidhja për mendimin tim është patjetër që Laureta duhet të shkojë drejt ndarjes përfundimtare me këtë bashkëshort. Kjo martesë më në funksionon. Nuk ka as qëllimin as objektivin që e mban një martesë. Këtu nuk shikojmë asnjë motivim më që kjo martesë të jetojë. 

Unë sot dua ta filloj këtë sezon të ri me një premtim personal, të vështirë në fakt, por nisur nga dëshira e mirë, prandaj Laureta këtë procedurë ne do ta nisim dhe do ta përfundojmë së bashku. Të gjitha shpenzimet do të jenë të miat dhe jo tuajat.

Sot, 28 Prill 2019 juristja Eni Çobani, tha se ka ndjekur të gjithë procesin dhe Laureta është ndarë dhe është e lumtur me dy fëmijët e saj.

“Kam ndjekur të gjithë procesin, Laureta fitoi lirinë dhe është e lumtur me dy fëmijët e saj, por surpriza më e madhe ishte e njerëzve të mirë të këtij qyteti se çfarë dhurate i kanë bërë Lauretës.

Zonja Eni Çobani shkoi vetë në Pogradec për të takuar Lauretën në seancën e saj të fundit.

“Jemi në Pogradec dhe Laureta fitoi, lirinë e saj të merituar, pensionin ushqimor, kujdestarinë e fëmijës dhe së shpejti do e shikojmë të punuar diku.

Më pas nga Gjykata, Eni Çobani shkoi në Lin, në shtëpinë e Lauretës dhe të familjarëve të saj. Tani ata kanë një banesë të re, ku Laureta qëndron me fëmijët e saj. Shtëpia është e ngrohtë dhe shumë familjare.

Laureta falënderoi të gjithë personat që e ndihmuan dhe veçanërisht deputetin Ilir Xhangolli, i cili ka kontribuar për ndërtimin e shtëpisë.

Ilir Xhangolli: 

Pas emisionit tuaj më bëri përshtypje historia e Lauretës që janë votuesit e mi, pasi janë nga Lini. Unë jam deputet i zonave rurale. Kam ardhur tek shtëpia, u takova me fëmijët dhe ata ishin nxitja më e madhe. U bëra thirrje 2-3 biznesmenëve dhe ata më ndihmuan. Kam folur me një biznesmen në fushën e turizmit dhe nesër Lauerta do shkojë të punësohet përkohësisht deri sa ti gjejmë një mundësi më të mirë.

/tvklan.al