Eranda Libohova ishte e ftuara speciale e puntatës së sotme të emisionit “Rudina” në Tv Klan. Këngëtarja erdhi për të folur mbi performancat e saj ndër vite, projektet e reja dhe çfarë ka ndodhur me të gjatë kësaj kohe.

Ajo ka qenë e angazhuar në programin “Këngë Moj”, ku edhe ka pasur një impakt shumë pozitiv te publiku me këngët që ka zgjedhur të këndojë.

Rudina Magjistari: Si të gjen ky fundi i pandemisë, gati për të startuar me këngë e hite të reja, ti ndërkohë, je e angazhuar  në “Këngë Moj” ku edhe të kemi parë?

Eranda Libohova: “Këngë Moj” ka qenë një program kaq shumë i dashur dhe kam kënduar vërtet me shumë shpirt sepse na ka munguar shumë. Të gjithë e dimë që artistët kanë qenë më të penalizuarit në këtë periudhë të gjatë të pandemisë dhe shpresoj shumë që të marrim startin tonë sepse vërtet ka nevojë, nuk kemi vetëm ne nevojë, por ka edhe publiku nevojë dhe ne nuk mund të luajmë si sportistët me stadiumet bosh, ne kemi nevojë për kontaktin e drejtpërdrejtë me publikun.

Kënga e parë që ajo performoi në studio ishte “Kthehu për vete për mua”, e shfaqur në vitin 1996 në Festivalin e 35-të të RTV. Në atë kohë Eranda performoi e veshur me një fustan të verdhë e të zi, të kombinuar po ashtu me këpucë të lyera në ngjyrë të verdhë, por sot ajo rrëfen historinë pas këngës.

Publiku e dashuroi asokohe atë këngë, por festivali thuajse nuk e vendosi në finale. Megjithëse ishte e fundit në renditje, kënga pati një impakt në audiencë, e cila vazhdon ta dojë edhe sot.

Rudina Magjistari: Ti erdhe me një këngë që prekte një plagë të shoqërisë në atë kohë që po jetohej.

Eranda Libohova: Po, ishte mesi i viteve 1990.

Rudina Magjistari: Si u ndjeve ti kur ta propozuan këtë këngë?

Eranda Libohova: Ishte një tekst shumë i fortë, por që përkonte shumë mirë edhe me hemorragjinë që kishte kapur emigracionin dhe çdo gjë që ndodhte në Shqipëri në ato vite dhe të them të drejtën, unë nuk e kuptoja atëherë rëndësinë, paçka se kisha dy autorë shumë të rëndësishëm të cilët më mbështetën fort dhe pastaj kënga i kaloi pritshmëritë e mia. Më kujtohet që u rendit e fundit, e kam thënë disa herë…

Rudina Magjistari: U rendit e fundit, nuk e mbaja mend, si ka mundësi? Një nga këngët që mbahet mend nga festivalet.

Eranda Libohova: U rendit e fundit për të mos thënë që duhet edhe të mos ishte fare në finale, por që gjithmonë populli është ai sovrani, kështu që ajo këngë kur unë e harroj ndonjëherë ne live-repertoret e mia, më thonë “Në parqe pemët ishin zhveshur”, po do ta këndoj./tvklan.al