Një libër që buron nga thellësia mbytëse e vetëvrasjes së djalit të saj. Një rrëfim prekës i eksperiencës më të dhimbshme të një nëne. “Bukur këtu” është libri i amerikanes Linda Phillips, e cila tregon se çdo të thotë të përballosh një humbje të tmerrshme.

Një rrëfim i prekshëm i eksperiencës më të dhimbshme të jetës, Phillips jep një përshkrim të pasojave të vetëvrasjes në familjen e saj, por edhe procesin që e ndihmojë të rifitojë vetveten. Në këtë libër ajo tregon se si ndoqi dritën dhe gjeti paqen pasi doli nga errësira e humbjes së djalit Ditën e Falenderimeve.

Në këtë ditë, djali i saj 22-vjeçar, Nuçi Phillips vendosi t’i japë fund jetës pas një lufte me depresionin e rëndë. Pas humbjes së djalit, Phillips u bë pjesë e një kauze mjaft të rëndësishme për t’i dhënë të rinjve dashurinë dhe mbështetjen dhe krijoi hapësirën “Nuçi”, në kujtim dhe respekt të djalit të saj.

“Nuçi Space” është një vend ku mund të kërkosh këshilla për të trajtuar shëndetin mendor, është një katalizator që i ka shpëtuar jetën shumë të rinjve. E ftuar në studion e “Rudina” shkrimtarja tregoi më tepër për librin kushtuar djalit të saj të ndjerë.

https://youtu.be/IpXHo2IQQ1k?t=4m47s

“Në libër unë flas për një ëndërr që kam parë për djalin, Nuçin. Disa javë pas vdekjes së tij unë, bashkëshorti dhe djali tjetër, në ëndërr po shkonim në Kaliforni dhe Nuçi ishte mbështetur në krahët e mi, më pa dhe më tha: Nënë e di nuk duhet ta kisha bërë këtë gjë. Në atë moment i them, nëse ti do të ktheheshe… dhe ai më kthehet: Jo, është bukur këtu. Ishte qetësuese ta titulloja kështu këtë libër.

Pas vdekjes së Nuçit, ne në vend që të rrinim dhe të mos bënim asgjë, kemi ngritur një fondacion në emrin e tij dhe kuptova diçka. Ne nuk i stigmatizojmë njerëzit me kancer, atëherë përse duhet të stigmatizojmë njerëzit me sëmundje mendore? 

Dje kuptova se ky qenka libri i parë i këtij lloji që është botuar në Shqipëri”,

tha shkrimtarja.

Gjatë emisionit ajo tregoi më tepër për të birin Nuçi, për të cilin tha se ishte fëmijë tejet i ndjeshëm dhe përjetonte çdo gjë.

“Nuçi ishte fëmijë shumë i ndjeshëm, shumë perceptues dhe donte të përjetonte çdo gjë. Filloi të lexonte që 3 vjeç dhe kur ishte 5 vjeç lexoi në një gazetë që një grup në Atlanta kërkonte pjesëtarë dhe ai donte të shkonte. Ne nuk e dinim që ai këndonte, ai bëri prova dhe e morën. Pas pak kohësh ai mori edhe një çmim. Në shkollë ka qenë shumë i mirë, ka qenë fëmijë i përsosur. Në moshën 16-vjeçare vumë re që ai filloi të tërhiqej, ishte diçka që na ra në sy. Fillimisht menduam se ishte normale për një adoleshent. Donim të merrnim ndihmë, por ai nuk donte. Në fakt unë jam infermiere dhe kam informacion edhe në psikiatri. Por nuk na shkoi mendja tek depresioni, na u duk thjeshtë një lloj ankthi adoleshentësh. Ai u bë gjithnjë edhe me keq, vendosëm ta vizitojmë diku pas një tentative të tij për vetëvrasje. E shtruam në spital dhe punoi shumë që të ndihej më mirë. Kur je në depresion imazhet të shtrembërohen, në mendje ke një lloj filtri të “pisët”.  Për katër vite me radhë ai ishte me ulje-ngritje. Në vitin e dytë të kolegjit ai gjeti një armë, por ne nuk ishim në dijeni, e mësuam pas vetëvrasjes së tij. Në natë përpara natës së Falenderimeve, ishte ora 6 dhe nuk kishte ardhur, ishte e pazakontë. E morëm në telefon, por nuk morëm përgjigje. Të nesërmen morëm në telefon një nga miqtë e tij dhe ai na tha se nuk e kishte parë. Dhe ne u nisëm dhe takuam mikun e tij dhe bashkë me të shkuam në shtëpinë ku ai qëndronte dhe aty e gjetëm Nuçin”,

tregoi Phillips.

/tvklan.al