Manchester United, Roma e Villareal një hap larg gjysmëfinaleve, barazon Arsenali

Manchester United hodhi një hap të sigurtë drejt raundit gjysmëfinal në Uefa Europa League. ‘Djajtë e kuq’ mposhtën pastër 2-0 surprizën e këtij sezoni në kompeticionin europian, Granadën në transfertë.

Pas gjysmë ore loje, Rashford kaloi në avantazh United. Minutat e mbetura sollën raste nga të dy skuadrat, por duhej të vinte minuta e 90-të, ku anglezët fitojnë një penallti dhe nga pika e bardhë nuk gabon Bruno Fernandes për 2-0.

Fitore spektakolare mori Roma, 1-2 me përmbysje në Amsterdam përballë Ajax. Klasen zhbllokoi takimin pas një aksioni model të holandezëve.

Me fillimin e pjesës së dytë, Tadiç humbet një penallti, duke i dhënë tjetër rrjedhë sfidës. Roma mori zemër dhe barazoi me Pellegrini, teksa kur u duk se gjithçka po i drejtohej një barazimi, Ibanez kontrolloi bukur një top të hedhur nga këndi për të shënuar golin që mund të vlejë kualifikimin për italianët.

Slavia e Pragës befason sërish. Çekët ndalën 1-1 Arsenalin në transfertë, për të qenë ata një hap larg gjysmëfinales së kompeticionit.

Ndërkaq Villareal regjistroi një fitore minimale 1-0 në Kroaci përballë Dinamo Zagreb. Takimet e kthimit luhen më 15 Prill.

Klan News