Përfaqësuesja e Shqipërisë Anxhela Peristeri këndon e dyta

Finalja e Eurovision Song Contest rikthehet sonte në Roterdam pas një vit pushimi nga pandemia e koronavirusit, duke ngjitur në skenë këngëtarë me krahë gjigantë engjëlli, tekste të thjeshtë dhe mesazhe shprese në kohë pandemie.

Italia, Franca dhe Malta konsiderohen të favorizuar gjatë finales së madhe që zhvillohet pavarësisht masave anti-COVID.

Finalistët zhvilluan provat gjenerale të premten dhe sot janë gati për finale. 26 konkurrentë do të këndojnë përpara një publiku prej 3,500 vetash apo 20% të kapacitetit të arenës “Ahoy”. Të gjithë pjesëmarrësit duhet të jenë të pajisur me një test negativ ndaj COVID-19.

Shqipëria që përfaqësohet nga këngëtarja Anxhela Peristeri me këngën “Karma”. Ajo do të ngjitet në skenë e dyta gjatë finales.

Kënga “Zitti e Buoni” e Maneskin nga Italia dhe kënga e Francës “Voila” shihen si pretendetët kryesorë.

Tema e këtij viti e festivalit është hapja dhe masat e ndërmarra përfshirë pjesëmarrjen e kufizuar apo testimin e detyruar të pjesëmarrësve që mund të konsiderohen si model edhe për ngjarjet e tjera të vitit, përfshirë kampionatin europian Euro 2020 dhe Lojërat Olimpike të Tokios.

Ky është edicioni i 65-të i Festivalit Europian të këngës që çdo vit tërheq një audiencë televizive prej rreth 200 milionë vetash.

Klan News