Diplomatët evropianë i sugjerojnë fituesit të zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti, që të tregohet pragmatist dhe “të mbajë një qasje konstruktive për vazhdimin e dialogun me Beogradin”.

Toni i deklaratave ndryshoi në Bruksel pas qëndrimit të kreut të Vetëvendosjes se do të ketë ndryshime të pozicionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së.

Zyrtarisht, BE thotë se do të presë formimin e parlamentit dhe qeverisë së re në Kosovë, në mënyrë që të fillojë bisedimet për vazhdimin e dialogut, të cilin Kurti nuk e sheh si prioritet të tij.

E ardhmja e Kosovës në BE nuk do të jetë e mundur pa bashkëpunim dhe pa një marrëveshje me Beogradin, e thekson edhe raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.

“Qeveria e re duhet të punojë për reformat dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe në zhvillimin e një agjende ambicioze pro-evropiane. Zoti Kurti duhet të përdorë shumicën e fortë që fitoi në zgjedhje. Një mbështetje kaq e madhe është një parakusht për dialog të suksesshëm, por jo mjaftueshëm në vetvete”, thotë von Cramon.

Ata që e njohin nga afër Albin Kurtin thonë, se kompromisi dhe pragmatizmi nuk janë anët e tij më të forta. Kurti do t’i mbetet besnik vetes së tij dhe nuk do të shkojë në Bruksel për të marrë mendim orë e çast.

Qeveria e parë e udhëhequr nga Albin Kurti, në fillim të vitit 2020, u vu nën presion të fortë nga administrata amerikane, e udhëhequr nga Presidenti Trump. Pas më pak se dy muajsh, qeveria u rrëzua nga një mocion mosbesimi në parlament, i cili u mbështet nga SHBA.

BE, deklaron se çdo zgjidhje e rënë dakord midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet evropiane, është e pranueshme për të. Përfaqësuesi i BE, Miroslav Lajçak, është edhe më specifik.

Ai ka hedhur poshtë mundësinë e shkëmbimit të territoreve. Presidenti i ri Joseph Biden, në urimet e tij me rastin e Ditës së Shtetësisë, tha se zgjidhjen midis Serbisë dhe Kosovës e sheh në njohjen reciproke.

Klan News