Që nga data 24 Qershori deri në datën 24 Korrik Parlamenti shqiptar është i detyruar të zgjedhë me 5 raunde votimi Presidentin e ri, i cili do të zëvendësojë Alfred Moisiun. Nëse Presidenti nuk zgjidhet Parlamenti shpërndahet dhe vendi hyn brenda 60 ditësh në zgjedhje të parakohshme.

Qarkullojnë një sërë emrash, por ende asnjë nuk është konfirmuar. Për të diskutuar lidhur krizën e zgjedhjes së Presidentit ishte i ftuar në emisioni “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, ish-kryeministri Fatos Nano.

“Formula e zgjidhjes së krizës potenciale në rastin e zgjidhjes së Presidentit është të jetë mbi palët, të gëzojë mirëkuptimin partiak dhe në këtë funksion të jetë konsensual. Në raport me dy modelet presidenciale qe kemi pasur është e qartë se çfarë ka munguar dhe çfarë ka qenë e tepruar. Ne kemi përgjegjësinë që të mos vegjetojmë në pushtet. Unë nuk i shmangem përgjegjësisë së postit të Presidentit, nuk mund ta largoj nga vetja përgjegjësinë për të realizuar këtë. Është e nevojshme që politika të tregohet e përgjegjshme përballë interesave të njerëzve dhe ka ardhur momenti që kjo temë të ç’dramatizohet dhe të zgjidhet sëbashku me ta dhe të gjendet një zgjidhje në mënyrë që të zhvillohet vendi. Pyetja që duhet të shtrohesh është nëse ky President duhet të jetë mbi palët, në rastin e një Presidenti me autoritet publik apo nën palët në rastin e një Presidenti të zgjedhur nga kompromisi i tavolinës”, tha Nano./tvklan.al 

I ftuar:Fatos Nano, ish-kryeministër.