Skandal në Tokio 2020, olimpistët thyen rregullat anti-covid mes rritjes se rasteve.

Zyrtarët e Tokio 2020 po hetojnë dhjetëra sportistë, të cilët u kapën duke konsumuar alkool në një festë të organizuar në një park brenda Fshatit Olimpik, duke thyer rregullat anti-covid.

Drejtori i Komitetit Organizativ, Toshiro Muto, tha se policia shkoi në vendin ku festa po zhvillohej dhe e ndërpreu atë, duke marrë të dhënat e nevojshme për shkelësit.

Emrat e atletëve dhe të pjesëtarëve të stafeve nuk u bënë publike.

Të 11 mijë atletët pjesëmarrës në Tokio 2020 u paralajmëruan para nisjes së eventit, se konsumimi i pijeve alkoolike në grup ishte thyerje e protokollit për parandalimin e përhapjes së infektimeve me Covid-19.

Atletët kanë të drejtë të pinë alkool, por vetëm në dhomat e tyre.

Sportistët pritet që të përballen me masa disiplinore për shkeljen e kryer. Dënimi më i rëndë që ata mund të marrin është përjashtimi nga olimpiada.  Por gjasat janë të mëdha që ndaj tyre të jepen gjoba për shkeljen e protokollit.

Klan News