Pas vendimit të Gjykatës së Colmarit për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj ka shpërthyer festa në kryeqytet.
Para selisë së AAK-së në Prishtinë, janë ndezur fishekzjarrë në mes të rrugës, njofton Klan Kosova.
Gjykata franceze hodhi poshtë kërkesat e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt, i cili edhe më parë është shpallur i pafajshëm nga Gjykatat Ndërkombëtare për akuzat e Serbisë për krime lufte.
Haradinaj mbahej prej katër muajsh në Francë në pritje të vendimit të gjykatës për lirimin e tij. Ai tashmë është i lirë të rikthehet në Kosovë tek familja e tij.
Ndërkohë, pritet që në orët e ardhshme të ditës së sotme, Haradinaj të rikthehet në Kosovë. Në një prononcim për mediat jashtë gjykatës, Haradinaj tha se “
Procedura sot është mbyllur, është refuzuar kërkesa për ekstradim, do të shkoj ta marr pasaportën në Strasburg sepse e kam në polici. Po shpresoj që sot do të kthehem në Kosovë
”.
Lideri i AAK-së ka thënë poashtu se në këtë “përballje” mes Serbisë dhe Kosovës, ka fituar Kosova.
“
Kanë kaluar katër muaj kohë, është kohë e çmueshme megjithatë në këtë përballje, shqiptarët kanë fituar
”.
“Tani jam i lirë dhe do të kthehem në Kosovë. Gjithnjë e kemi pasur energjinë për punët dhe të drejtën tonë. Nuk besoj se ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme, ka ndodhur ajo që është dashur të ndodhë. E drejta jonë është e drejta jonë”./tvklan.al