Ministri i Jashtëm i Finlandës, shtet që ka marrë Presidencën gjashtë mujore të BE-së, Pekka Haavisto, ka deklaruar se hapja e negociatave në muajin Tetor me Shkupin dhe Tiranën është në interes të BE. Madje Haavisto angazhohet të bindë shtetet skeptike si Holanda apo Franca.

“Ballkani Perëndimor nuk është një rajon fqinj; ata janë në zemër të Evropës. BE duhet të respektojë angazhimet e saj, sepse lojtarët e tjerë si Rusia dhe Kina po tregojnë gjithashtu një interes në këtë fushë. Ne mbështesim hapjen e shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe gjetjen e një zgjidhje mes Beogradit e Prishtinës”.

Haavisto thekson se përgjegjësia kryesore për të realizuar kushtet për hapjen e negociatave qëndron para së gjithash tek udhëheqësit politikë të vendeve kandidate.

“Dëshira për t’u bërë një vend anëtar i BE-së është diçka që lojtarët politikë shumë të ndarë në Ballkanin Perëndimor duket se e kanë objektiv të përbashkët. Megjithatë, anëtarësimi në BE nuk është diçka që ata mund të marrin si dhurate. Duhet të plotësohen kritere të rrepta dhe përmbushja e vazhdueshme do të monitorohet me kujdes. Marrja e masave më të vendosura për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe përmirësimin e lirisë së fjalës janë në krye të listës. Përgjegjësia qëndron para së gjithash tek udhëheqësit politikë të vendeve kandidate”.

Klan Plus