Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, në emisionin “Kampionët” në Tv Klan, foli për fitoren e Anglisë ndaj Serbisë.

Sipas tij, skuadra e Southgate ishte shumë mirë në pjesën e parë dhe theksoi se janë ekipi më i mirë që ka parë deri tani. Bushi u shpreh se në pjesën e dytë, u treguan tipikë anglezë, duke lëshuar lojën.

“Anglia m’u duk shumë e shpejtë në pjesën e parë. E kam bindje se është ekipi më i mirë që kemi parë deri më sot. Ka anësorët më të mirë në botë. E bëjnë shumë mirë edhe fazën mbrojtëse. Më bën çudi, se janë lojtarë shumë të mirë, por tërhiqen shumë. Foden trajnohet si do të mbrojë. Ai ishte i paparë edhe në mbrojtje. Ekipet e mëdha bëjnë diferencën. Në pjesën e dytë u treguan vetë anglezë. Në pjesën e parë shumë mirë dhe në të dytën rrezikuan të barazojnë. U treguan tipikë anglezë, lëshuan lojën”, deklaroi Bushi./tvklan.al