Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar dy miqësore për Shqipërinë U-19 në muajin shtator.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Julian Ahmataj do të përballen me Turqinë, më 6 dhe 8 shtator.

Në njoftimin e FSHF-së, thuhet se dy federatat kanë rënë dakord që këto dy ndeshje të luhen në Turqi, muajin e ardhshëm.

Kombëtarja kuqezi U-19 do të nisë grumbullimin direkt në Turqi më 2 shtator. Lista e lojtarëve të grumbulluar do të bëhet me dije në vijim nga trajneri Julian Ahmataj.

Pak ditë më parë, Shqipëria U-19 luajti dy miqësore kundër Lihtenshtejnit, ku siguroi dy fitore me goleada. Qëllimi kryesor i këtyre ndeshjeve miqësore është jo vetëm kolaudimi i grupit përfundimtar që do të impenjohet në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Europian U-19, ku kuqezinjtë do të synojnë kalimin në ‘Elite Round’, por edhe rritja e moralit të skuadrës dhe fryma për fitore.

Shorti i UEFA-s i ka pozicionuar kuqezinjtë në Grupin 11, së bashku me Izraelin, Danimarkën dhe Irlandën e Veriut, teksa ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në vendin tonë në datat 13, 16 dhe 19 nëntor 2024.

Në bazë të rregullores së UEFA-s, dy skuadrat e renditura në vendin e parë të çdo grupi do të avancojnë në “Elite Round” së bashku me skuadrën e tretë më të mirë në të gjitha grupet në këto kualifikuese, kurse faza finale e Europianit të moshës U-19 do të zhvillohet në Rumani në vitin e ardhshëm. /tvklan.al