Mesfushori me tipare sulmuese, Marco Reus ka firmosur për LA Galaxy deri në fund të 2026-ës, ndërsa do të vazhdojë karrierën e tij në MLS.

Reus, 35 vjeç, u largua nga Borussia Dortmund në fund të sezonit të kaluar pas 12 vitesh dhe transferohet në SHBA si futbollist i lirë. Ndeshja e tij e fundit me verdhezinjtë ishte humbja ndaj Real Madridit në finalen e Ligës së Kampioneve në Qershor.

Reus shënoi 170 gola në 429 ndeshje për Dortmundin dhe ishte kapiten i skuadrës për pesë sezone deri në vitin 2023. Ai fitoi dy kupa të Gjermanisë me verdhezinjtë ndërsa për përfaqësuesen gjermane në 48 takime realizoi 15 herë.

Për trajnerin e LA Galaxy, Greg Vanei, Reus është një fitimtar dhe lider, i cili nuk do ta ketë të vështirë të integrohet me ekipin.  Ekipi nga Los Anxhelos është në krye të Konferencës Perëndimore dhe sfida e radhës do të jetë në shtëpi kundër Atlanta United më 25 Gusht.

Klan News