Në një lidhje në Skype nga Izmiri, në Turqi për programin “Historia ime”, në TV Klan ishte futbollisti Sokol Cikalleshi.

Ai u shpreh se për shkak të situatës, qeveria turke ka marrë vendimin që deri në 3 Maj, të gjithë duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe askush nuk duhet të lëvizë deri në një vendim të dytë.

Në lidhje me stërvitjen, Cikalleshi tha se kjo është problem pavarësisht programeve të detajuara që ata po ndjekin.

Mirela Milori: Çfarë ju kanë thënë kur mund të fillojë stërvitja?

Sokol Cikalleshi: Kemi pasur nje vendim nga qeveria turke, që deri në datë 3 Maj jemi nëpër shtëpi, askush nuk do të lëvizë deri në një vendim të dytë. Por siç parashikohet dhe siç flitet, Liga mund të rifillojë në Qershor.

Mirela Milori: Por ndërkohë vetëm kontaktoni nëpërmjet email-eve, përmes telefonave, nuk ka stërvitje më?

Sokol Cikalleshi: Jo ne jemi në shtëpi dhe pjesën e stërvitjes mundohemi ta bëjmë në shtëpi, kemi programet tona të detajuara. Por kjo pjesa e stërvitjes është paksa problem, se duke qënë në shtëpi kushtet nuk janë aq të mira për stërvitje, se ne duhet të vrapojmë.

Mirela Milori: Si stërvitesh në shtëpi, si i bën kilometrat e vrapit?

Sokol Cikalleshi: Kjo është problem, unë jam paksa i privilegjuar tek kjo pjesë sepse më ka qëlluar shtëpia me një ballkon të madh edhe këto gjëra i kam shfrytëzuar në maksimun, por nuk na i plotëson kushtet 100%. Sigurisht që nga gjendja jonë fizike do të humbim, por po mundohemi që humbja të jetë sa më e pakët dhe në rifillimin e stërvitjeve, uroj që të jemi 30-40% minus dhe jo më shumë./tvklan.al