Një nga emrat surprizë në listat e PD-së ishte Flutura Açka. Shkrimtarja e njohur gjatë një lidhjeje live në emisionin “Opinion” tha se ka qenë selia blu ajo që i është ofruar dhe pastaj ajo e ka pranuar.

“Ka qenë ftesë e PD-së. Më është ofruar mua partia dhe jo unë partisë. Nuk është çudi, ndoshta duket çudi në moment të parë, por nuk është çudi sepse ‘unë jam gazetare në orët e para të demokracisë. Në vitin ‘92 kur kanë qenë zgjedhjet e para unë kam qenë nga ato vajza që kam bërë reportazhet e para të demokracisë pa u bërë akoma zgjedhjet. Vokacioni nuk është aspak i çuditshëm që është në këtë gjë. Është gjë normale. Ky është një vendim shumë i rëndësishëm për mua në këtë moment dhe mendoj se është i drejtë. Unë kam patur ftesa gjatë këtyre 30 viteve nga e djathta. Kjo ftesë ka ardhur që në 2017, por nuk kam qenë e përgatitur. Kam pasur kohë 4 vite që të marr këtë vendim”, tha Açka.  

Shkrimtarja tha se ka qenë pjesëmarrëse në disa protesta. Açka tregoi se vendosi që të hynte në politikë për të kontribuar nga brenda sistemit, pasi nga jashtë kjo gjë është shumë e vështirë për ta bërë.

“Nga jashtë sistemit është e vështirë që të kontribuosh në gjëra konkrete për të cilat kam shqetësim si qytetare. Mendova që do të ishte më mirë nga brenda sistemit pasi ka dominancë politike shumë të madhe. Qoftë edhe për të sjellë një lloj qetësimi fundja edhe të politikës shqiptare”, tha Açka.

Shkrimtarja u shpreh se nuk do të heqë dorë nga parimet e saj për shkak të partisë.

“Në një stad të atillë të jetës sime por dhe situatës sime personale që këto gjëra, në një farë mënyrë unë jam një kockë e bërë, është e vështirë që ndonjë korrezion të më deformojë. Partia ka rregullat e veta, ka zemrek tjetër. Jam e bindur që në rastin tim, fakti që më është ofruar PD-ja do të thotë që më ka pranuar me ato lloj principe. Mendoj se nuk do të më detyrojë që të ndryshoj profil dhe nuk kam për të ndryshuar zoti Fevziu, do të jemi këtu dhe unë nuk do të bëj atë që është kundër principeve të mia. Këtë jua garantoj”.

Açka tha se ka disa gjëra që do t’i transferojë në politikë. Kandidatja për deputete në zonën e Elbasanit tha se është shumë e rëndësishme që në këto momente të ketë përparësi në çështjet e trashëgimisë kulturore dhe kulturës./tvklan.al