Një sinjalizim nga Zvicra çoi në sekuestrimin e 5.2 milionë eurove dhe 7 apartamenteve në emër 50-vjeçares Shqipe Palajt dhe babait të saj Pjetër Voci, 83-vjeç, nga Lezha. Hetimet e policisë nisën menjëherë pasi në llogaritë bankare në emër të 50-vjeçares mbërritën shuma të mëdha parash, në një kohë të shkurtër.

Tv Klan mëson se paratë janë dërguar nga një shtetas suedez. Transfertat kanë nisur që prej vitit 2013, por pjesa e më madhe e tyre është dërguar drejt filialit të një banke në Lezhë, vitin e kaluar. Vetëm në Korrik dhe Gusht në llogarinë e 50-vjeçares kanë mbërritur 2 milionë Euro. Të njëjtat burime thanë se paratë investoheshin menjëherë në blerje pasurish të paluajtshme në Lezhë, Shëngjin dhe Tiranë.

Sipas informacioneve të marra në mënyrë konfidenciale bëhet e ditur se 50-vjeçarja mund t’i ketë marrë këto para të dërguar nga kunati dhe vëllai i saj. Me gjithë dyshimet e forta për para që vijnë nga aktivitete kriminale, që kanë të bëjnë me trafikun e drogës, hetimi për 50-vjeçaren dhe babain e saj do të bëhet në gjendje të lirë. Policia ka kërkuar nga homologët në Zvicër të tjera detaje, për aktivitetin e familjarëve të Palajt në Zvicër dhe për prejardhjen e këtyre parave.

Tv Klan