Hugo Lloris ngriti Kupën e Botës Rusi 2018…

Franca kampione bote për herë të dytë. Didier Deschamps, njeriu i tretë që e fiton si lojtar dhe si trajner. Skuadra e tij ia rrëmbeu me zgjuarsi fitoren kroatëve, të cilët luftuan çmendurisht deri në fund të takimit duke dominuar lojën në të gjithë hapësirën e fushës. Jo më kot Luka Modriç u shpall edhe lojtari më i mirë i botërorit.

Lot dhe emocione në fushë, aty ku kroatët i shkuan aq pranë realizimit të së pamundurës.

Por në “Luzhniki stadium” shiu i rrëmbyer mundi t’i maskonte lotët, por jo të shuante emocionet e të gjithëve, fituesve të trofeut francezëve dhe fituesve të respektit të mbarë opinionit sportiv në botë, kroatëve.

Nuk mundi t’i përmbante emocionet as presidentja e vendit Kolinda-Grabar Kitaroviç, e cila përqafoi të gjithë që i dolën përpara.

Në përfundim të ndeshjes në Moskë, rrugët e Parisit u përmbytën nga miliona njerëz që zbritën të festojnë. E pamundur të kuptohet se ku ndodhen për shkak të numrit mjaft të madh të tifozëve.

Mund të dallohen vetëm pikat e referimit si kulla Eiffel, bulevardi Champs Elysee, apo kupolat e katedraleve

Parizienët e dogjën edhe qiellin me fishëkzjarret që ndriçuan ndeshjen për disa minuta.

Tv Klan