Helikopteri EC 145, i rrëzuar tre ditë më parë, vijon të qëndrojë në ujërat e Liqenit të Shkodrës. Tentativat për ta nxjerr në sipërfaqe kanë dështuar edhe të shtunën.

Megjithatë polumbarët kanë arritur të gjejnë kutinë e zezë, e cila do të hedhë dritë mbi aksidentin tragjik të së mërkurës, ku mbetën të vrarë, Kapiten Floran Delia dhe Toger Donald Hoxha.

Në nxjerrjen e kutisë së zezë kanë marrë pjesë ekspertë shqiptarë dhe francezë, si dhe drejtuesi i Prokurorisë së Shkodrës, Granit Shahu.

Ajo do të ekspertohet fillimisht në Prokurorinë e Shkodrës dhe më pas do të analizohet nga specialistët e kompanisë Eurocopter, që prej së premtes ndodhen në Shqipëri.

Bashkë me kutinë e zezë, në duart e ekspertëve janë edhe disa pjesë të motorit, që u nxorrën një ditë më parë.

Ajo që pritet, është ngritja e helikopterit nga uji.

Për nxjerrjen e tij do të përdoren jastëkë me ajër, ndërsa transportimi i tij deri tek ura e Bunës, do të bëhet me një mjet të posaçëm.

Zona vijon të jetë e rrethuar në një perimetër rreth 300 metër nga vendi i aksidentit.

Helikopteri i Forcave të Armatosura, i drejtuar nga pilotët Floran Deliaj dhe Donald Hoxha u rrëzua tragjikisht në zonën e Grizhës.

Nga ky aksident shpëtoi vetëm ushtari Gerald Baramuça.

Tv Klan