Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë një seleksionim me talentet me origjinë shqiptare të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.

Ky është viti i dytë radhazi që ky event mbahet. Seleksionimi do të zhvillohet në datat 18 dhe 19 Maj 2024 në kompleksin “Hudson Sports Complex, Warwick NY” dhe do të jetë i fokusuar te lojtarët e datëlindjeve 2009-2010-2011, por është i hapur edhe për futbollistet vajza pa kufizime moshe.

Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF po punon prej disa muajsh për mbledhjen e të dhënave dhe përpilimin e listave të futbollistëve dhe futbollisteve që duan të marrin pjesë.

Në këtë testim, do të marrë pjesë edhe Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, që do të shikojë nga afër edhe ecurinë e lojtarëve që spikatën në seleksionimin e vitit të kaluar.

Është menduar që të luhet edhe një ndeshje miqësore më datën 19 Maj me lojtarët e spikatur në seleksionimin e vitit të kaluar të vitlindjes 2007-2008.

Klan News