Fulham është skuadra më e fundit që ngjitet në Premier League-n angleze. Bardhezinjtë mposhtën mes drithërimave 2-1 Brentford në finalen e play-offit, duke siguruar biletën e fundit për në elitën e futbollit anglez.

Me kohën e rregullt që nuk solli asgjë, sfida në “Wembley” u vendos gjatë kohës shtesë. Joe Bryant ishte heroi i Fulhamit, me mbrojtësin që ishte autor i të dy golave të fitores. Fillimisht lojtari i linjës së majtë gjeti rrjetën në minutën e 105, për të vulosur fatet e takimit 12 minuta më vonë. Brentford tentoi të reagojë, megjithatë goli i nderit erdhi shumë vonë, duke shuar kështu shpresat e tyre për një promovim në Premier League pas 73 vitesh.

Në krahun tjetër kishte vend për festë, pasi Fulham rikthehet në elitë pas 2 sezonesh në kategoritë inferiore. Por ajo që gëzon më tepër skuadrën e trajnerit, Skot Parker është bonusi i fituar për shkak të promovimit. Plot 135 milionë paund do të shkojnë në arkat e klubit të Fulham në 3 edicionet e radhës, shifër e konsiderueshme kjo, duke pasur parasysh se ky bonus është tepër i lartë dhe në krahasim me fitimet e akomuluara nga kampionët e sapo shpallur të Premier League, Liverpool.

Të kuqtë kanë fituar rreth 100 milionë paund nga triumfi në elite. Shuma e fituar nga Fulham shihet si e mjaftueshme për të qëndruar në elitë sezonin e ardhshëm, pasi duhet thënë se boshti i skuadrës është ndërtuar tashmë. Dy skuadrat e tjera që u ngjitën janë Leeds United dhe West Bromwich.

Klan Plus