Fuqia e pabarabartë e protagonistëve në dialog


Fuqia e pabarabartë e protagonistëve në dialog

23:40 17/07/2020

Kosova dhe Serbia i janë rikthyer dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me udhëheqës të palëve, kryeministrin Avdullah Hoti dhe presidentin Aleksandar Vuçiç, por ata janë të pabarabartë për kah fuqia politike dhe legjitimiteti përfaqësues, vlerësojnë analistët shqiptarë dhe serbë.

Përfaqësues të opozitës dhe analistë të çështjeve politike në Kosovë, vlerësojnë që kryeministri Hoti, për shkak të qeverisë së brishtë dhe opozitës së fuqishme në Kosovë, nuk do ta ketë legjitimitetin e mjaftueshëm për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Ndërkaq, analistët serbë, vlerësojnë që Vuçiç, partia e të cilit tashmë ka shumicën prej dy të tretave të ulëseve në Parlamentin e Serbisë, mund “të shtyjnë” çfarëdo marrëveshje dhe ta ratifikojnë atë.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian, në disa raste kanë theksuar që e respektojnë faktin që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që dialogun me Serbinë duhet ta udhëheqë Qeveria e Kosovës.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili deri më tash, në emër të Kosovës ka udhëhequr bisedimet me Serbinë, ishte angazhuar që procesi i dialogut të kalojë në duart e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak se, siç kishte thënë, Brukseli e ka humbur kredibilitetit në këtë proces, por edhe në raportet me Kosovën.

Në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nga viti i kaluar është përfshirë edhe i dërguari i presidentit amerikan, Richard Grenell, i cili deri më tash ka arritur t’i sigurojë tri marrëveshje në letër, për vendosjen e linjave ajrore dhe hekurudhore, si dhe për autostradën Prishtinë-Beograd.

Ndërmjet dy palëve, më 27 qershor, ishte caktuar takimi në Shtëpinë e Bardhë , i cili tri ditë para se të mbahej është shtyrë , për shkak të njoftimit për ngritjen e aktakuzës ndaj Thaçit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë.

Nagavci: Pafuqia e Hotit për marrëveshje në dialog, e pafavorshme për Kosovën

Në ditën e enjte, kur kishte rinisur dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel, më 16 korrik, Thaçi po e përfundonte intervistimin katërditor para prokurorisë në Hagë. Në Bruksel, ai nuk ishte i ftuar.

Ndërkaq, në Kosovë, kryeministri Hoti nuk e ka mbështetjen politike për vazhdimin e dialogut. Në krye të vendit është qeveria e tij, e cila është miratuar me votat e 61 deputetëve nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës, ndërkohë që ekziston opozita e fortë e përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Kryeministri Hoti, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të tetorit të vitit 2019, ka fituar 26.094 vota dhe në listën e kandidatëve më të votuar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, është renditur i pesti. Kandidatja për kryeministre nga kjo parti, Vjosa Osmani, kishte marrë 176. 016 vota, ndërkaq që vota më shumë se ajo, kishte marrë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjithsej 183.952.

Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë më të madhe opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se faktorët gjeopolitik aktual, por edhe pafuqia e kryeministrit Hoti, jo vetëm në politikën e jashtme , por edhe në planin e brendshëm, për shkak të brishtësisë së qeverisë së tij, e vë Kosovën në situatë të pafavorshme në dialog me Serbinë.

Siç thotë Nagavci, kryeministri Hoti nuk duhet të marrë përsipër përgjegjësitë për çështjet, të cilat nuk është në gjendje t’i shtyjë tutje në interes të vendit, duke pasur parasysh edhe rolin dhe fuqinë e opozitës.

Ajo shpreh mendimin që madje nuk do të ketë së shpejti as marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga e cila, njohja e ndërsjellë duhet të jetë rezultati më i paktë që duhet të dalë.

“Hoti, për këtë as nuk është i përgatitur e as nuk ka një platformë, një ekip dhe të tjera si këto, si dhe nuk e ka legjitimitetin as brenda vendit. As në kuadër të koalicionit të tij qeverisës nuk e ka fuqinë, por as në raport me gjithë spektrin politik, përfshirë këtu edhe opozitën”, thekson Nagavci.

Krasniqi: Hoti nuk do të jetë i vetëm në dialog

Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për radion Evropa e lirë, thekson që shkuarja drejt përfundimit të dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, nuk do të mund të bëhet vetëm nga partitë të cilat janë në pushtet.

Sipas saj, në skenën politike në Kosovë do të ndikojnë edhe zhvillimet që do të jenë në procesin e aktakuzës, të cilën Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka paraqitur ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Siç thotë ajo, në rast se aktakuza konfirmohet nga Dhomat e Specializuara, atëherë me siguri që do të ketë zhvillime të brendshme politike të cilat do të ndikojnë në rikonfigurimin institucional.

“Unë nuk e besoj që – në bazë të zhvillimeve politike që priten në Kosovë – që kryeministri Hoti do të jetë i vetëm në këtë proces, në qeverinë aktuale, në kuptimin që pritet që të ketë zhvillime të tjera politike, qoftë të një rikonfigurimi të qeverisë apo të rikonfigurimit të tërë institucional, që do të ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e dialogut. Edhe nëse nuk ndodhë kjo, e rëndësishme është që qeveria aktuale dhe secila qeveri, pavarësisht se kush është në krye të qeverisë, duhet të ketë mbështetje të gjerë politike për ta shtyrë këtë proces përpara”, thotë Krasniqi.

Ajo shton se presidenti i vendit, i cili deri më tash ka qenë në rolin udhëheqës të palës së Kosovë në procesin e dialogut, tashmë ka vlerësuar se nuk është e dobishme të përfshihet në procesin e dialogut përderisa është duke u marrë me Dhomat e Specializuara.

Por, duke iu referuar një shkrimi në Facebook të këshilltarit të presidentit të Kosovës, Adil Behramajt, i cili kishte shkruar që “Avdullah Hoti nuk mund ta përfaqësojë as LDK-në, se lëre më Kosovën”, Krasniqi thotë që porositë që vijnë nga këshilltarët e presidentit, janë kontradiktore.

“Ne kemi parë nga ana e Zyrës së Presidentit, në mënyrë joformale, që këshilltarët e tij kanë deklaruar që Hoti nuk e ka legjitimitetin, pasi që ai nuk është konsultuar as me presidentin. Pra, kjo dëshmon që duhet të ketë një mbështetje politike për këtë proces, e cila shkon përtej taboreve të institucioneve dhe përtej taboreve të partive politike. Përndryshe, është e vështirë që të shkohet deri te arritja e një marrëveshje në emër të Kosovës”, shton Krasniqi.

Kryeministri Hoti, më 10 qershor ka paraqitur platformën për dialogun, tre principet e së cilës thonë që nuk mund të bisedohet për territorin e Republikës së Kosovës dhe as për organizimin kushtetues të shtetit të Kosovës, si dhe që marrëveshjet që do të arrihen duhet të jenë në frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Fuqia e pakontestuar e Vuçiçit

Në anën tjetër, analisti nga Brukseli dhe eksperti i së drejtës evropiane, Gjorgje Bojoviç, thekson që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuiçiq, po i kthehet tavolinës së bisedimeve me Kosovën pas zgjedhjeve në Serbi, në të cilat partia e tij, Partia Progresiste Serbe, e vetme ka marrë dy të tretat shumicë të parlamentit serb.

“Kjo shumicë prej dy të tretave, ia mundëson atij madje edhe ndryshimin e Kushtetutës në ato pjesë, për të cilat nuk nevojitet referendumi, ndërkaq për pjesët që kanë të bëjnë me Kosovën – preambula dhe neni 182, është i nevojshëm referendumi”, sqaron Bojoviç.

Ai shton që çfarëdo marrëveshje që arrijnë Serbia dhe Kosova, do të ishte i zbatueshëm në Beograd, “në rast se Vuçiç vlerëson që mund ta mbijetojë politikisht”.

“Kjo për shkak se Partia progresiste Serbe është bërë makineri e tillë, sa që me fushatën e saj dhe me resurset e saj mund të promovojnë cilëndo marrëveshje dhe ‘ta shtyjnë’ atë, ndërkaq ata vet e kanë shumicën prej dy të tretave për ta ratifikuar. Esenca është vetëm nëse Vuçiç është i gatshëm që të arrijë marrëveshjen finale me Kosovën. Tash për tash, kjo nuk duket ashtu. Mendimi i shumicës është që Vuçiçi edhe më tej dëshiron të prolongojë këtë, sepse ai e di që në momentin që nënshkruhet marrëveshja gjithëpërfshirëse me Prishtinën, temat tjera do të vinin në rend të ditës”, thekson Bojoviç.

Sipas tij, për dallim nga pala e Kosovës, ku siç thotë ai, ekziston edhe negociatori kryesor dhe platforma për të cilën ideohet në kuvend, në Serbi kjo nuk është kështu. Ai thekson që Serbia ka Vuçiçin, si negociator de facto, si dikush që ka të gjithë pushtetin e koncentruar absolut dhe i cili në një mënyrë jo transparente i udhëheqë bisedimet.

Bojoviç thotë se është një ndryshim i rëndësishëm fakti që Bashkimi Evropian i ka rikthyer bisedimet nën ombrellën e saj, pas shtyrjes së takimit të liderëve të Kosovës dhe të Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm amerikan, Richard Grenell.

“Ky është tereni ku Vuçiç dëshiron më pak të luaj. Ky është tereni në të cilin Vuçiç nuk e ka atë fuqinë të cilën potencialisht do ta kishte në SHBA. Nuk duhet harruar që Serbia dëshironte bisedime nën ombrellën amerikane, duke menduar që ekziston shansi për zgjidhje, e cila, sipas mendimit të tij, do të ishte më e favorshme për Serbinë”, vlerëson Bojoviç.

Por, duke shpjeguar idenë se pse fuqia e Vuçiçit është më e vogël në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja se sa në ato që do të zhvilloheshin nën ombrellën e SHBA-së, Bojoviç thotë që për këtë janë kyçe dy çështje.

“Mendoj që Vuçiç edhe sot nuk ka hequr dorë nga ideja e tij për caktimin e kufijve, ndarjen e Kosovës ose ndonjë modalitet sipas të cilit do të lëvizej vija mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo ide kishte mbështetjen e heshtur ose të zëshme në Amerikë, për dallim nga Evropa, ku Gjermania kishte thënë ‘jo’ lidhur me këtë. Pikërisht sot (më 17 korrik) ka ardhur letra e opozitës serbe në Parlamentin Evropian. Këtë letër e kanë mbështetur tre nga katër grupimet më të mëdha të Parlamentit Evropian. Përveç nga Partia Popullore Evropiane, Vuçiqi nuk e ka mbështetjen në Parlamentin Evropian, gjë që e ulë mundësinë e tij për bisedime të lehta në Bruksel”, thotë Bojoviç.

Gjithashtu, sipas tij, problem mbetet edhe fakti që nuk dihet se kush do ta përbëjë ekipin negociator të palës së Serbisë, duke thënë se edhe serbët e Kosovës janë përjashtuar nga pjesëmarrja në dialog, nga të dyja palët, Prishtina dhe Beogradi.

Madje, shton ai, edhe Kuvendi i Serbisë nuk është i përfshirë në bisedime. Siç thekson Bojoviç, deri më tash, për shtatë vite të bisedimeve në Bruksel, ka pasur vetëm një raport për Kosovën në Parlamentin Serbisë, në të cilin flitej se si shteti i Serbisë ka investuar në shëndetësi, arsim dhe nuk ka pasqyruar esencën e temave që janë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

Ndryshe, dy tema që janë diskutuar gjatë rinisjes së dialogut në Bruksel kanë qenë çështja e të pagjeturve dhe zhvillimi ekonomik. Nga protagonistët, ky takim është cilësuar si ‘shumë i vështirë’ dhe është paralajmëruar se grupet teknike do të takohen prapë të mërkurën në Bruksel lidhur me këto çështje. Takimi i radhës i nivelit të lartë është paralajmëruar për në shtator./REL




Të ngjashme